Aplikacione

YouTube-i ndalon disa reklama nga faqja kryesore


Platforma e shpërndarjes së videove, YouTube, ka njoftuar se po ndalon disa lloje reklamuesish nga një prej spoteve më të spikatur në faqen e saj kryesore.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se YouTube-i  ka vendosur të ndalojë reklamat në lidhje me lojërat e fatit, alkoolin dhe ilaçet me recetë, si dhe reklamat politike dhe zgjedhore, nga banderola e shfaqur në krye të faqes së internetit dhe aplikacioneve të saj.

“Ne besojmë se ky azhurnim do të bazohet në ndryshimet që kemi bërë vitin e kaluar në procesin e rezervimit të kreut të faqes dhe do të çojë në një përvojë më të mirë për përdoruesit”, është shprehur një zëdhënës i Google-it, i cili zotëron YouTube-in, në një deklaratë për CNN.

Në më pak se një vit, ky rezulton të jetë ndryshimi i dytë i madh në politikat kryesore të YouTube-it, pasi ndaloi reklamuesit në nëntor të rezervojnë vendin për një ditë të plotë.

Gjatë viteve të fundit, politikat e YouTube-it janë vënë nën vëzhgim intensiv, veçanërisht rreth qasjes që ka ndaj dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes.

Së bashku me Facebook-un dhe Twitter-in, YouTube-i ishte një nga tre platformat që vitin e kaluar ranë dakord për një auditim të jashtëm të politikave kundër përmbajtjes së dëmshme. Kjo pas presionit nga reklamuesit kryesorë.

Gjithashtu Google-i ka njoftuar një moratorium mbi reklamat politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili u zgjerua pas trazirave të gjashtë janarit në Capitol dhe u hoq në muajin shkurt të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore