Lajme

Ymeri: Nëse dështon procesi Kurti dhe Vuçiç do mbahen personalisht përgjegjës


Visar Ymeri, analist politik

“Kurti po e bën atë që është standard i sjelljes politike në Kosovë e rajon: pra, i thotë disa JO të vogla në mënyrë që trysnia për PO të bëhet e dukshme që pastaj të fshihet pas kësaj trysnie”.

Kështu e vlerëson sjelljen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, para takimit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku pritet të dilet me një pajtim formal për Marrëveshjen Bazë mbështetur në propozimin franko-gjerman.

“Takimi i sotëm do të duhej ishte takim në të cilin më së paku palët do të duhej ta pranonin formalisht Planin e BE-së dhe kalendarin e aneksuar që ravijëzon kohën kur dhe si zbatohet ky Plan”, shpjegon Ymeri, duke marrë parasysh që “bastet janë shumë të larta, prandaj kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë do të duhej që të sillen me përgjegjësi karshi procesit të dialogut dhe Planit (tekstin e të cilit e kanë pranuar) dhe të mos tentojnë të gjejnë elemente zvarritjeje të procesit në përgjithësi”.

Visar Ymeri beson që nga takimi i sotëm në Bruksel, plani i cili në publik njihet si “franko-gjerman”, do të pranohet formalisht dhe me të, “të fillojë prapa numërimi deri në datën kur përfundon procesi i dialogut në përgjithësi”.

Albanian Post: Çka pret nga takimi Kurti-Vucic në Bruksel sot?

Visar Ymeri: Gjykuar nga deklaratat publike veçanërisht këto të ditëve të fundit të të dy liderëve negociues, gjërat rreth marrëveshjes ende nuk kanë përfunduar. Por në anën tjetër kemi një angazhim në rritje të udhëheqësve të lartë amerikan dhe të BE-së, përfshirë krerët e 3 shteteve më të fuqishme të BE-së, që kërkojnë përfundim sa më të shpejtë të procesit. Kështu që takimi i sotëm do të duhej ishte takim në të cilin më së paku palu do të duhej ta pranonin formalisht Planin e BE-së dhe kalendarin e aneksuar që ravijëzon kohën kur dhe si zbatohet ky Plan. Marrë parasysh që bastet janë shumë të larta atëherë KM Kurti dhe Presidenti i Serbisë do të duhej që të sillen me përgjegjësi karshi procesit të dialogut dhe Planit (tekstin e të cilit e kanë pranuar) dhe të mos tentojnë të gjejnë elemente zvarritjeje të procesit në përgjithësi. Kështu që sot pres që ky Plan të pranohet formalisht dhe me të të fillojë prapa numërimi deri në datën kur përfundon procesi i dialogut në përgjithësi.

Albanian Post: A do të pranoj kryeministri Kurti marrëveshjen e mbështetur nga BE dhe ShBA, apo do ta refuzoj?

Visar Ymeri: KM Kurti tashmë e ka pranuar atë. Njëherë si bazë të mirë për diskutime e pastaj si dokument “mere ose lëre”. Nuk di që ka mundësi shtesë që të diskutohet për tekstin. Dhe nëse nuk ka mundësi diskutimi e negociimi, atëherë ka vetëm mundësi refuzimi kategorik, gjë të cilën nuk e ka bërë KM Kurti e as që mendoj që do ta bëjë, e aq më pak se duhet ta bëjë. Kurti po e bën atë që është standard i sjelljes politike në Kosovë e rajon: pra i thotë disa JO të vogla në mënyrë që trysnia për PO të bëhet e dukshme që pastaj të fshihet pas kësaj trysnie. Të njëjtën gjë po e bën edhe Presidenti i Serbisë. Këto taktizime bëhen për politikë të brendshme zgjedhore pa kurrfarë efekti në cilësinë e marrëveshjes. Por kjo është rrugë e gabuar e trajtimit të këtij procesi meqë kështu nuk i kishtohet fare rëndësi kuptimit të drejtë që duhet ta ketë pranimi dhe marrëveshje në opinionin e gjerë publik. Marrëveshja bëhet fuksionale kur të implementohet e jo vetëm me nënshkrim të saj. Mënyra se si e cilësojmë marrëveshjen sot (të imponuar apo marrëveshje për të mirën dhe të ardhmen tonë) ndikon pastaj edhe në implementimin e saj.

Albanian Post: Si e vlerësoni letrën e përbashkët të tre liderëve?

Visar Ymeri: Kjo letër është njëkohësisht përkrahje e fuqishme për procesin dhe dëshmi se zotimet nga BE janë serioze, por edhe trysni për kohën e arritjes dhe zbatimit të marrëveshjes. Ka pasur shumë komente për atë se kjo letër përmban kërkesën për zbatim të marrëveshjes për Asociacionin, etj., por kjo nuk është e befasishme. Asgjë e re nuk thuhet në letër që nuk është thënë deri më tash gjatë procesin nga të gjitha shtetet e mekanizmat perëndimor që e mbështesin procesin e dialogut. Aty në letër po ashtu thuhet që për tekstin e Planit tashma ka dakordancë nga KM Kurti. Por e veçanta e letrës është që, sikur Sekretari Blinken në fillim të vitit 2022, edhe Kryeministrja Meloni, Kancelari Scholz dhe Presidenti Macron, kërkojnë “lidership personal” të kryeministrit Kurti në këtë proces. Pra në njëfarë mënyre Km Kurti, por edhe Presidenti Vuçiq, do të mbahen personalisht përgjegjës nëse dështo procesi, e po ashtu personalisht meritor nëse ka sukses ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore