Kosova

Ylber Hysa: Situata në Mal të Zi “epilog i një situate të re, i filluar me ligjin për fetë”


Ish-Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

Të dielën e 5 shtatorit u kurorëzua Mitropoliti Joanikije në Manastirin e Cetinës në Mal të Zi, ngjarje kjo e cila zgjoi indinjatë të thellë të malaziasve, dhe u kundërshtua përmes protestimeve të ashpra nga qytetarët e Cetinës.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar, dhe për këtë kurorëzim që rezultoi siç rezultoi, ish-Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, njëherit edhe historiani, Ylber Hysa, për Albanian Post ka thënë se kjo “është epilog i një situate të re politike që ka filluar me Ligjin për Fetë, e që pastaj solli një demonstrim të gjatë të Kishës Ortodokse Serbe, e cila së fundmi në zgjedhjet e fundit i qëndroi prapa një blloku të bashkuar politik pro-serb e qytetar, që arriti që për një deputet të dalë para partisë së Preisdentit Gjukanoviç dhe bllokut suverinistë“.

Hysa thotë se kjo ishte edhe një ngjarje që para 30 vitesh solli ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi.

“Ishte peshkopi Amfilohije ai që ishte magnet i këtij blloku politik, dhe i cili pasi vdiq nga pandemia, hapi rrugë për zgjedhjen e peshkopit të ri, Joanikije. Amfiohije ishte një peshkop që kishte një histori të gjatë të involvimit të fesë e politikës në luftërat e përgjakshme të ish-Jugosllavisë dhe më 1991 ishte kurorëzuar me prezencën e armatës jugosllave dhe përkrahjen e Arkanit, e cila poashtu pati kundërshti të mëdha në Cetinë”, shpjegon Hysa.

Por, konsideron Hysa, megjithëse Amfilohije ishte i tillë “ai megjitahtë nuk qëndronte në anën e Vuçiçit politikisht”, edhe pse ishte një eksponent ortodoks karizmatik.

“Por, përzgjedhja e Jonaikijes si trashëgimtar nuk shkoi lehtë”.

Hysa tregon se “ai u desh të pajtohej me shumë qëndrime të Patrikanës beogradase që si duket nënkuptonte edhe heqjen dorë nga privilegjet e prerogativat autonome që i kishte vendosur Mitropolia e Malit Zi e Litorale”.

Kështu, sipas ish-Ambasadorit Hysa, Joanikije po vinte si një etapë e fundit e ankesimit të përfshirjes së kësaj peshkopate vetëm si njëra nga peshkopatat e Kishës Ortdokse Serbe, nën patrikun e ri – pasi që edhe patriku i fundit kishte vdekur nga Covid-19, sikurse mjaft klerikë tjerë që refuzonin masat sanitare duke u thirrur në mbrojtjen nga zoti.

“Me fjalë tjera, me t’u siguruar që Porfirije ishte në krye të SPC-së dhe me vdekjen e Amfilohijes që ishte mbështetje për forcat anti-Vuçiç edhe në politikën serbe, tani më si një akt i fundit do të duhej të vinte mu kurorëzimi i Joanikjes së bindur tashmë”, shpjegon Hysa për Albanian Post.

Por, para se të ndodh kjo, Hysa shpjegon edhe një hap shumë me rëndësi që i paraprinë kësaj, dhe që ishte “nënshkrimi i Aktit Themeltar me shtetin e Malit të Zi për Kishën Ortodokse Serbe”.

“Kjo do të duhej të ishte një lloj konkordati, akti i fundit, që duhej të siguronte që Kisha Ortodokse Serbe është e vetmja kishë ortodokse, një dhe e vetme, unike me Patriarkën në Beograd, dhe se asaj i nënshtroheshin dhe pranoheshin të gjitha pronat kishtare në Mal të Zi. Këtë duhej ta bënte pikërisht kryeministri i ri malazez Krivokapiç, i cili në jetë politike erdhi si protagonist i përzgjedhur nga peshkopi i ndjerë”.

Pikërisht ky akt, thekson Ylber Hysa, do të ishte një “akt aneksues triumfal pas përmbysjes së pushtetit të Gjukanoviç dhe ndërrimit të Ligjt mbi Fetë. Por, Krivokapiç u frikësua që të merr këtë përgjegjësi, për çka kishte kritika të mëdha nga blloku tjetër serbo-kishtar”.

“Në një atmosferë të këtillë Krivokapiç ndihej i kërcënuar nëse nuk do të ndërmerrte mbrojtjen me çdo kusht të kurorëzimit të Joanikijes”, thotë ai.

Si u zhvillua ngjarja më tej

Forcat suvereniste malazeze kurorëzimin e këtillë të Joanikijes e panë si një kërcënim të hapur që demonstrativisht po vendoste vulën e një politike të “Botës Serbe” për një nënshtrim identitar, vlerëson historiani Hysa.

“Për më tepër Cetina është një lloj “Kruje” e Malit Zi, që për shekuj ishte selia e dinastëve malazezë që krijuan mbretërinë e tyre të pavarur që kishte edhe kishën e saj e cila u zhbë pas vitit 1918 kur me dhunë Mali Zi u ankesua nga Serbia. Mali Zi e ripërtëriu pavarësinë pas një kohe të gjatë më 2006 dhe Cetina prore kishte mbetur një simbol i rezistencës dhe historisë malazeze. Pas kthimit të pavarësisë kishte përpjekje për të themeluar Kishën Ortodokse malazeze që nga disa u përjetua si akti i fundit i pavarësimit dhe identitetit të kthyer malazez”.

Bazuar mbi “këtë aspekt”, tregon ai, “kurorëzimi i peshkopit të Kishës Serbe u pa nga qytetarët e Cetinës dhe malazezët tjerë si një akt përdhosje publike të identitetit të tyre dhe ata e bënë të qartë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që kjo të ndodh”.

“Asambleja e qytetit solli një vendim unanim kundër kësaj ndërsa presidenti malazez haptazi u doli në mbrojtje dhjetëra mijëra qytetarëve të mbledhur në qëndresë protestuese”.

Edhe përkundër të një debati të gjatë me nota ballafaqimi të hapur, edhe përkundër mendimit të ekspertizës së Kryeshefit të Policisë, i cili, siç shpjegon Hysa edhe u shkarkua pak para aksionit, autoritetet qeveritare nuk e ndalën kurorëzimin e Joanikijes.

“Pas protestave këmbëngulëse të malazezëve në Cetinë, Joanikije me ndihmën e policisë speciale, shok bombave, lotsjellësve dhe të helikopterëve ushtarakë u soll në manastirin historik në Cetinë për të kryer kurorëzimin pa besimtarë, pa publik dhe me prezencën e fallangës policore”, thotë Ylber Hysa.

“Kjo shkaktoi një reagim masiv në palën malazeze që këtë e pa si një akt desanti ushatrak, të paprecedent, kundër vullnetit të cetinasëve, që nuk e nderon fare një njeri të zotit, siç edhe tha presidenti Gjukanoviç”.

Çfarë pasojash do të lë kjo?

Hysa thotë se kjo ka lënë pasoja definitive afatgjate të një shoqërie të polarizuar skajshmërish në dy gjysma identitare.

“Ndonëse procesi politik në vend tashmë ishte i bllokuar ngase shumica paralmentare po e bllokonte veten në parlament (që nuk njihet në teori parlamentarizmi) duke kërkuar qe një kohë rekonstruktim qeverie dhe largim të Krivokapic nga kryeiministri ,tashmë duket që një proces i këtillë politik është ndërprerë”.

“Nuk përjashtohet një bllokadë, ku vështirë të shihet opozita të jetë pjesëmarrëse në jetën parlamentare dhe ngërçi politik mund të paralizojë jetën politike tutje. Tanimë shumica qeveritare mund të përpiqet që të vazhdojë tutje me një pako rekonstruktuese që përfshinë edhe regjistrimin e popullsisë, përzgjedhjen e Këshillit Prokurorial njëanshëm apo vazhdimin e një procedure për shkarkimin e Gjukanioviçit, që ka filluar mu para do ditësh”, shpjegon Hysa.

Por, ndonëse ambasadat e QUINT-it po bëjnë thirrje për ulje të tensioneve dhe vazhdim të dialogut politik, ngjarja në Cetinë, sipas Hysës, ka lanë një varrë serioze që mund të ketë konsekuenca afatgjate.

“Kjo, sidomos në vazhdimin e një rrugëtimi për përmbushjen e një lufte identitare malazeze me çdo kusht”.

“Duket që tashmë zari është hedhur dhe kjo përfundimisht do të çojë në një proces përkufizimi me pasoja karshi Kishës Ortodokse Serbe dhe refleksioneve identitare e politike jo vetëm në Cetinë”, thotë ish-ambasodari kosovar.

Krejt në fund, Ylber Hysa thotë se përfshirja jo vetëm deklarative e krerëve shtetërorë serb, si Aleksandër Vuçiç, Aleksandër Vulin dhe Millorad Dodik, përbën më shumë se problem në vetë shtetin e Malit të Zi.

“Duhet parë se si do të vazhdojë kjo përplasje politike e identitare në këtë vend të NATO-s, që nuk lë indiferente zhvillimet edhe në rajon”, përfundon Ylber Hysa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore