Lajme

Vuçiç: Serbinë e presin kohë të vështira


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar “kohë të vështira” për Serbinë gjatë muajve në vijim, ndërsa ka bërë thirrje për përbashkimin e popullit serb në mbrojtje të “interesave të Serbisë” dhe dhënien e “kontributit maksimal” për zhvillimin e saj.

“Na presin kohë të vështira, prandaj duhet të jemi të bashkuar, punëtor, të mbrojmë interesat e Serbisë dhe të japim kontributin maksimal në zhvillimin e saj”, ka shkruar Vuçiçi në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram” të dielen, derisa ka folur për nevojat e “njerëzve të thjeshtë”.

“Edhe pse kohët në të cilat jetojmë nuk janë të lehta, shteti nuk e ka harruar njeriun e thjeshtë dhe nevojat e tij. Prandaj, më shumë se kurrë, ne vazhdojmë të ndërtojmë dhe punojmë për restaurimin e rrugëve dhe urave lokale, për të dëgjuar problemet dhe idetë e qytetarëve dhe të ecim përpara”.

Më 14 shtator (e enjte) në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb pritet të takohen ballë për ballë pas më shumë se katër muaj nga takimi i fundit më 2 maj.

Acarimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe. BE-ja tani pret nga palët që të kontribuojnë në ruajtjen e atmosferës për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore