Kosova

Vuçiç: Ose dialog, ose luftë – tjetër s’ka


Aleksandër Vuçiç

“Ne duhet të flasim sepse alternativë është hyrja në luftë. Më mirë të flisni nga 10 orë për çdo ditë, pastaj të shkëmbeni zjarr”.

Kështu ka deklaruar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një paraqitje televizive në një nga mediat propagandistike serbe, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai njoftoi se më 17 dhjetor, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner – këshilltarët e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron – do të jenë në Beograd dhe ashtu si herën e parë, me vete do ta kenë edhe propozimin franko-gjerman (evropian), por se ai “s’do ta pranojë”.

“Së pari, ata duhet të formojnë Asociacionin dhe më pas mund të flasim për planin. Ata kurrë nuk do ta formojnë atë. Kundër Serbisë do të bëhet një luftë hibride”, pretendoi Vuçiç.

Ai lexoi një pjesë të versionit të fundit të propozimit të BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “mund të flas për gjithçka tjetër, përveç dy çështjeve”.
“Ka një gjë për të cilën ua kam bërë me dije, ajo është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e Kosovës – Serbia nuk do ta pranojë këtë. Ne mund të diskutojmë për pjesën tjetër”.
Gjithashtu, nga ajo çfarë ka biseduar me emisarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, presidenti serb vuri në pah se Uashingtoni nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, por, siç tha ai, shpreson që amerikanët rrënjësisht ta kuptojnë situatën më mirë se disa në Evropë.
“Amerika nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, por shpresoj dhe besoj më shumë se Amerika do të na dëgjojë në periudhën përpara nesh sesa gatishmëria e Evropës për të na dëgjuar”.

Duke komentuar kërkesën qesharake për kthimin e forcave serbe në Kosovë, Vuçiç bëri të ditur se ia ka dorëzuar zyrtarisht këtë kërkesë komandantit të KFOR-it, por ai e di që do të refuzohet.
“I thashë Escobar’it se nuk është sekret që ai do të përgjigjet negativisht, vetëm po pres të shoh se çfarë do të shkruajë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore