Kosova

Vuçiç: Kurti nuk ka guxuar të më takojë


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk ka guxuar” që ta takojë atë në Bruksel, të mërkurën.

Këto komente, Vuçiç i ka bërë nga Brukseli në një prononcim për gazetarë, pas takimeve që ka pasur me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, i cili ka qenë i shoqëruar nga i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se është kthyer tri herë në takimin me Borrell-in dhe Lajçak-un, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai tha se i është përgjigjur.

Sa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, ai i vlerësoi korrekte.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, pretendoi Vuçiç pasi që u pyet nga gazetarët se pse nuk ka pasur takim trelateral, derisa ka shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiç-in”.

“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”, shtoi ai, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Sipas tij, kryeministri Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiç pohoi se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

S’ka takim Kurti-Vuçiç në Bruskel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore