Lajme

Vuçiç bisedon me Stuart Peach: “Serbia mbetet e vendosur në politikën e saj të ruajtjes së paqes”


Aleksander Vucic dhe Lord Stuart Peach

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka biseduar këtë të mërkure me Emisarin Special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, Vuçiç tha se kishte “një bisedë kuptimplotë dhe të hapur me Stuart Peach për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situatën në rajon”.

“E falënderova për mirëkuptimin e qëndrimit tonë, si dhe për vlerësimin objektiv të situatës së re, dhe theksova se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës po pengojnë rrjedhën e mëtejshme të bisedimeve, por se Serbia mbetet e vendosur në politikën e saj të ruajtjes së paqes dhe paqes dhe stabiliteti në rajon pavarësisht provokimeve”, pretendon Vuçiç.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarin posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, të martën ka thënë se “është koha që të themelohet Asociacioni [i Komunave me Shumicë Serbe]”.

“Unë thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj, e mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin social “Instagram”.

Tutje, kreu i Serbisë pretendoi se “që nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit”.

“Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, shtoi ai.

Escobar dhe Lajçak të hënën dhe të martën kanë qëndruar ën Kosovë, ku kanë biseduar me krerët e institucioneve kosovare, si dhe me liderët e partive opozitare.

Këto vizita kanë ardhur pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore