Shqipëria

Vrasja e Roskovecit hap sërish plagën e “femicidit” në Shqipëri


Në fshatin Vidhistë të Roskovecit është regjistruar një tjetër ngjarje e rëndë “me prapavijë gjinore”.

Një 61-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e të birit në orët e para të mesditës, sipas njoftimit të Policisë.

Nga të dhënat paraprake, bëhet me dije se 30-vjeçarja jetonte me bashkëshortin “pa pëlqimin” e të atit.

Shkak për këtë ishin bërë tre fëmijë nga një martesë e mëparshme e viktimës.

Kjo ngjarje e rëndë, që tronditi Shqipërinë, hap sërish plagën si ajo e “femicidit” – vrasje apo krime kundrejt femrave me dashje?

Statistikat

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar pas pandemisë.

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato, ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

Më tej, në raport del në pah se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore