Lajme

Von der Leyen në Kosovë – takon krerët e shtetit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, do jetë për vizitë zyrtare në Kosovë këtë të mërkurë për t’u takuar me krerët e shtetit.

Ajo do të takohet me fillim nga ora 9:00 me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa nga ora 10:00 do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.

Po ashtu do ta vizitojë edhe kopshtin ‘Cicërimat’ në Prishtinë, i cili është ndërtuar me fondet e BE-së.

Investimi i përgjithshëm i BE-së në sektorin e arsimit në Kosovë që nga viti 2007 arrin në rreth 85 milionë euro.

Von der Leyen është në një vizitë në Ballkanin Perëndimor, derisa të martën ka qëndruar për vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.

Në konferencën e përbashkët që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe se të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Shqipëri

Ajo theksoi se mirëpret edhe “Ballkanin e hapur”, si iniciativë gjithëpërfshirëse.

Gjatë ditës së hënë, Bashkimi Europian ka përsëritur qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe të zgjidhin çështjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE, si e vetmja platformë për t’u marrë vesh mes vete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore