Kosova

Von Cramon: Anëtarësimi i Kosovës në OKB s’varet nga Serbia


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar në një intervistë për mediumin serb, Nova.rs, se nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo jo.

Kosova dhe Serbia, gjegjësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me 27 shkurt u pajtuan mbi parimet e më pastaj me 18 mars për planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një ndër nenet më të kontestuara të Marrëveshjes ka qenë neni 4, i cili në paragrafin e dytë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në OKB, prandaj Serbia nuk do e zbatojë dispozitën në fjalë.

“E kuptoj që kjo deklaratë është për audiencën e brendshme, por në fund të fundit nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit ku Kina apo Rusia mund të vënë Veton”, ka deklaruar Von Cramon.

Eurodeputetja gjermane ka komentuar edhe deklaratat kontradiktore të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç’it para dhe pas takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Është për të ardhur keq që flitet në atë mënyrë. Ne i ndoqëm me vëmendje deklaratat e tij para marrëveshjes, të cilat ishin shumë të lavdërueshme, sepse hapën rrugën për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, retorika në fund të fundit dhe tallja me ‘dhimbje torturuese në dorën e djathtë’ u prit shumë keq si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të BE-së”.

Por, çfarë thonë ekspertët?

Sipas, James Ker-Lindsay, ligjëruesit universitar në “London School of Economics”, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë është shumë e vogël.

Kjo pasi që aplikimi duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit, ku Kosova nuk i ka votat momentalisht.

“Së pari, vendeve nuk u pëlqen shkëputja e njëanshme. Kjo është arsyeja pse vetëm gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Kjo për shembull shpjegon kundërshtimin e Kinës. Gjithashtu, kjo ka një dimension gjeopolitik. Rusia gjithmonë ka dashur të përdorë pranimin e Kosovës për të arritur qëllimet e saj në Kaukaz dhe ndoshta në Krime. Kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë Lindsay për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej profesori britanik nuk mund të anëtarësohet në OKB derisa Serbia nuk e njeh atë zyrtarisht.

“Pastaj është e vështirë për Kinën të kundërshtojë. Megjithëse Rusia mund të përpiqet ende, do të dukej e çuditshme që ta bëjë këtë kur Beogradi të pranojë Kosovën. Për këtë arsye, unë ende mendoj se njohja serbe duhet të jetë qëllimi kryesor”, ka shtuar ai.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe hulumtuesi në organizatën e pavarur, International Crisis Group, Marko Prelec.

“Kosova nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara si anëtare e plotë pa pëlqimin e Kinës dhe Rusisë, madje nuk është e qartë se a do ta ketë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme”, thotë fillimisht ai në një intervistë për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej ai në të kaluarën ka dështuar në përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol, pavarësisht se ka pasur shumicën e shteteve anëtare si njohës.

“Për shkak të punës së dobët diplomatike dhe sepse vetë njohja nuk përkthehet automatikisht në mbështetje”.

Qeveria e Kosovës në këtë fazë në vend se të punojë për anëtarësimin në OKB, sipas Prelec, më mirë të fokusohet në sigurimin e një mbështetjeje solide nga shumica e shteteve anëtare në atë mënyrë që të mund të kërkojë fillimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që ta pranojë atë si vëzhgues.

“Këshilli i Sigurimit nuk mund të vërë veton ndaj kësaj. Statusi i vëzhguesit ka përparësi. Ai më tej afirmon statusin e Kosovës si ‘shtet’ dhe do t’i lejonte asaj të aderojë në një gamë më të gjerë të traktateve dhe organizatave siç është Gjykata Ndërkombëtare Penale. Gjithashtu do t’i lejonte diplomatët e Kosovës të hynin në sistemin e OKB-së, ku ata mund të promovonin më tej interesat e shtetit të tyre”, ka argumentuar më tej ai për AP.

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB, sipas Prelec, nuk është mundësi reale përpara se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që mund të marrë shumë kohë.

“Edhe më keq, nuk ka asnjë garanci që edhe pasi Beogradi ta njohë, Moska do të heqë veton e saj. Ky vendim tani ndoshta është ngujuar në strategjinë e Rusisë në luftën në Ukrainë dhe askush nuk e di se si do të zhvillohet”, ka shtuar ai.

Pse Gërvalla beson se Kosova mund të jetë vend i suksesshëm edhe pa qenë anëtare e OKB-së?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore