Lajme

Pse Gërvalla beson se Kosova mund të jetë vend i suksesshëm edhe pa qenë anëtare e OKB-së?


Donika Gërvalla

Kosova dhe Serbia, gjegjësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me 27 shkurt u pajtuan mbi parimet e më pastaj me 18 mars për planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një ndër nenet më të kontestuara të Marrëveshjes ka qenë neni 4, i cili në paragrafin e dytë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por, për ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – e cila ka tentuar ta relativizojë mundësitë e vogla të Kosovës për anëtarësim në OKB – mos-anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë multilaterale nuk do të ishte ndonjë arritje e madhe për shtetësinë e Kosovës.

Kjo pasi që sipas saj, shembuj të ndryshëm nëpër botë kanë treguar se vendi mund të jetë shumë i suksesshëm edhe pa qenë anëtar i OKB-së.

“Unë mendoj se përvoja tashmë ka treguar që ju mund të mos jeni anëtarë i Kombeve të Bashkuara, por në të njëjtën kohë të jeni një vend shumi i suksesshëm. Nëse shikojmë Zvicrën, shohim një shembull shumë të mirë të kësaj, ata u bashkuan me Kombet e Bashkuara shumë vonë”, ka thënë Gërvalla, në një intervistë për Diário de Notícias, gazetën më të madhe në Portugali.

Kryediplomatja më tej edhe përkundër Vetos së Rusisë dhe Kinës ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare nuk varet nga askush.

“Njëkohësisht është e qartë se anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga vetë Kosova, nga progresi i vendit, nga përmbushja e kritereve për shtetin ligjor dhe demokratik. Këto duhet të jenë parimet që Kosova të mund të anëtarësohet ose jo në një organizatë ndërkombëtare dhe jo fqinjësia apo bllokadat që mund të bëjnë të tjerët”.

Por, çfarë thonë ekspertët?

Sipas, James Ker-Lindsay, ligjëruesit universitar në “London School of Economics”, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë është shumë e vogël.

Kjo pasi që aplikimi duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit, ku Kosova nuk i ka votat momentalisht.

“Së pari, vendeve nuk u pëlqen shkëputja e njëanshme. Kjo është arsyeja pse vetëm gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Kjo për shembull shpjegon kundërshtimin e Kinës. Gjithashtu, kjo ka një dimension gjeopolitik. Rusia gjithmonë ka dashur të përdorë pranimin e Kosovës për të arritur qëllimet e saj në Kaukaz dhe ndoshta në Krime. Kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë Lindsay për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej profesori britanik nuk mund të anëtarësohet në OKB derisa Serbia nuk e njeh atë zyrtarisht.

“Pastaj është e vështirë për Kinën të kundërshtojë. Megjithëse Rusia mund të përpiqet ende, do të dukej e çuditshme që ta bëjë këtë kur Beogradi të pranojë Kosovën. Për këtë arsye, unë ende mendoj se njohja serbe duhet të jetë qëllimi kryesor”, ka shtuar ai.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe hulumtuesi në organizatën e pavarur, International Crisis Group, Marko Prelec.

“Kosova nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara si anëtare e plotë pa pëlqimin e Kinës dhe Rusisë, madje nuk është e qartë se a do ta ketë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme”, thotë fillimisht ai në një intervistë për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej ai në të kaluarën ka dështuar në përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol, pavarësisht se ka pasur shumicën e shteteve anëtare si njohës.

“Për shkak të punës së dobët diplomatike dhe sepse vetë njohja nuk përkthehet automatikisht në mbështetje”.

Qeveria e Kosovës në këtë fazë në vend se të punojë për anëtarësimin në OKB, sipas Prelec, më mirë të fokusohet në sigurimin e një mbështetjeje solide nga shumica e shteteve anëtare në atë mënyrë që të mund të kërkojë fillimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që ta pranojë atë si vëzhgues.

“Këshilli i Sigurimit nuk mund të vërë veton ndaj kësaj. Statusi i vëzhguesit ka përparësi. Ai më tej afirmon statusin e Kosovës si ‘shtet’ dhe do t’i lejonte asaj të aderojë në një gamë më të gjerë të traktateve dhe organizatave siç është Gjykata Ndërkombëtare Penale. Gjithashtu do t’i lejonte diplomatët e Kosovës të hynin në sistemin e OKB-së, ku ata mund të promovonin më tej interesat e shtetit të tyre”, ka argumentuar më tej ai për AP.

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB, sipas Prelec, nuk është mundësi reale përpara se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që mund të marrë shumë kohë.

“Edhe më keq, nuk ka asnjë garanci që edhe pasi Beogradi ta njohë, Moska do të heqë veton e saj. Ky vendim tani ndoshta është ngujuar në strategjinë e Rusisë në luftën në Ukrainë dhe askush nuk e di se si do të zhvillohet”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore