Lajme

Viti i rrethanave të jashtëzakonshme: Osmani kuvendon për sfidat e shtetit


Vjosa Osmani - Sadriu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, këtë të premte (16 dhjetor), do t’iu adresohet deputetëve kosovarë mbi zhvillimet e përgjithshme socio-politike në vend dhe sfidat e sigurisë përgjatë vitit 2023, por vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Adresimi i presidentes Osmani-Sadriu vjen në një kohë kur partitë politike veçse kanë hyrë në qarkun e mbyllur të dhunës verbale – ndërmjet vete – sa që është shkallëzuar edhe në përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës për shkak të thellësisë së ndasive pushtet-opozitë, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë, po ia kthejnë shpinën atdheut të tyre.

Në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, presidentja Osmani-Sadriu pritet të bëjë thirrje për unitet në mesin e spektrit politik në vend, posaçërisht sa i përket procesit dialogues Prishtinë-Beograd dhe çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Veriu i Kosovës dhe zgjerimi i “hijes kërcënuese” të Serbisë pritet te jetë në fokus të fjalimit vjetor te presidentes. Kjo pjesë e territorit vazhdon të paraqesë një sfidë sigurie për autoritetet, sidomos për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë e të cilat shteti serb i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale e kriminale serbe.

Ditë më parë, shefja e shtetit ka deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë, pas sulmit të armatosur në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës. Në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që është zhvilluar të mërkurën e kësaj jave në Bruksel të Belgjikës, ajo ka thënë do t’i njoftojë të gjithë liderët evropianë në lidhje me planet e errëta të Serbisë.

“Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani-Sadriu, ndër vite është projektuar si “pragu i fundit” i mbrojtjes së orientimit pro-amerikan e pro-evropian të popullit të Kosovës, në një kohë kur tensionet mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në njërën anë dhe bashkësisë ndërkombëtare në anë tjetër janë ngritur ndjeshëm, veçanërisht pas degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik gjatë këtij viti.

Kosova për herë të parë sivjet e ka gjetur veten nën masat ndëshkuese të BE-së për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen e hapave konkretë për depërshkallëzimin e situatës në veriun e trazuar të vendit në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare. Presidentja pritet që sërish t’i bëjë thirrje BE-së për revokimin e sanksioneve.

E përkundër afërsisë së tepruar me kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ajo nuk ka ngurruar t’i shprehë dilemat ndaj Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, por edhe ndaj draft-statutit evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Sun” në muajin prill, ajo ishte shprehur “absolutisht e zhgënjyer” nga arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi në bazë të propozimit franko-gjerman, ku kryeministri Kurti kishte hequr dorë nga njohja reciproke. E i gjithë procesi është karakterizuar nga heshtja e çuditshme e presidentes, madje edhe në disa raste kritike për vendin.

Sa i përket procesit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të propozimit të fundit të BE-së, ndryshe nga kryeministri Kurti, i cili ka vlerësuar se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, presidentja e shtetit ka thënë se draft-statuti përmbanë “dykuptimësi” dhe rrjedhimisht, do të mund të shkaktonte probleme serioze në praktikë.

Për këtë arsye, në cilësinë e promotores së unitetit të popullit dhe ruajtes së kohezionit shoqëror e politik, presidentja Osmani-Sadriu do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare në vend – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – për t’i dëgjuar brengat e tyre mbi draft-statutin e BE-së.

Megjithatë, përveç sfidave të sigurisë dhe paqëndrueshmërisë politike, veçanërisht në pjesën veriore të territorit kosovar, gjatë këtij viti vendi është përballur edhe me probleme ekonomike si pasojë e rritjes së inflacionit. Ky trend e ka karakterizuar Kosovën pothuajse gjatë gjithë vitit 2023, kurse paga mesatare mbetet ndër më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor.

Kosova vazhdon të ketë probleme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimin të gjyqësorit, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e mjedisit dhe polarizimin shoqëror e politik. Nga aspekti pozitiv është konfirmuar zbatimi i liberalizimit të vizave nga 1 janari 2024 dhe presidentja Osmani-Sadriu pritet të flasë edhe për këtë çështje para deputetëve kosovarë këtë të premte.

Dhe kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e agjendës së kreut të shtetit, ndërsa pas adresimit të presidentes, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë diskutimet për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, kurse qytetarët do të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme të mbushur plot sfida e pasiguri së çka do të sjellë viti i ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore