Shqipëria

Vera e shkollarëve të vegjël


Shkollat verore për fëmijë

Përgjatë muajve verorë nuk ka vetëm përtaci për shkollarët e vegjël. Dhe kjo merr gati-gati karakter aksiomatik kur përmenden shkollat verore.

Organizimi i tyre vlerësohet maksimalisht jo vetëm për angazhimin e nxënësve gjatë muajve “të përgjumur”, por edhe për përfitimet që merren prej tyre.

Por, cilat janë këto të mira të shkollave verore?

Më në brendësi

Irena Shanaj, psikologe shkollore, tregon për Albanian Post se shkollat verore janë me rëndësi për nxënësit.

Ato ofrojnë veprimtari të specializuara, te orientuara nga profesionistë, persona të kualifikuar ose vullnetarë për të siguruar udhëzime në fusha të tilla si balet, pikturë, teatër, muzikë, karate, shah ose gjuhë të huaja.

“Vullnetarët që janë të gatshëm të punojnë me fëmijët në veprimtari akademike, kulturore ose sportive, veçanërisht studentët më të mëdhenj, zakonisht janë më të disponueshëm pas shkollës sesa gjatë orëve të shkollës”, shpjegon psikologia.

Shanaj dallon se ka një konsensus në rritje mbi rëndësinë e ndërveprimeve staf-nxënës si një përcaktues i efektshmërisë së programit të shkollës verore.

Për të, krijimi i programeve arsimore të përshtatshme dhe të bazuara në nevojat individuale të nxënësve, mbështetja e mirëqenies dhe shëndetit mendor, dhe ngritja e nivelit të mbështetjes për familjet, mësimdhënësit dhe kujdestarët konsiderohet e domosdoshme

“Këto programe përpiqen t’i ndihmojnë fëmijët të përdorin në mënyrë krijuese kohën e lirë”, thotë ajo.

Shanaj thekson se edukatorët dhe politikëbërësit duhet t’i shohin këto programe si alternativa interesante që ofrojnë ide praktike dhe disa tregues se si pas shkollës programet mund të jenë të strukturuara.

Psikologia thotë se ata kanë filluar të tregojnë interes në rritje për programet e projektuara si programe pas-shkollore për tre arsye kryesore.

Ajo i rendit disa arsye.

“Së pari, pjesëmarrja në programet pas shkollës mund t’u sigurojë fëmijëve mbikëqyrje gjatë një kohe kur shumë mund të jenë të ekspozuar dhe të angazhohen në më shumë sjellje anti-sociale dhe shkatërruese.

Së dyti, programet pas shkollës mund të sigurojnë përvoja pasuruese që zgjerojnë perspektivat e fëmijëve dhe përmirësojnë socializimin e tyre.

Së treti, programet pas shkollës ndoshta mund të ndihmojnë në përmirësimin e arritjeve  akademike të nxënësve që nuk po ia dalin  aq mirë sa duhet gjatë orëve të rregullta të shkollës”.

Shanaj ravijëzon se shumë fëmijë nuk marrin mbikëqyrjen e duhur gjatë orëve pas shkollës.

“Kur bie zilja e mbarimit të mësimit, shumë fëmijë shkojnë në shtëpi të zbrazëta dhe shumë të tjerë ‘dalin’ në rrugë derisa prindërit e tyre të kthehen në shtëpi”, tregon ajo.

Sipas psikologes, fëmijët e lënë pa u parë pas shkollës shpesh bien pre e sjelljeve devijuese që janë të dëmshme për ta, për shkollat e tyre dhe për komunitetet e tyre.

Kjo pasi ata kanë më shumë gjasa të përfshihen në akte delinkuente gjatë këtyre orëve.

Psikologia sjell në vëmendje raporte të shumta, të cilat kanë dokumentuar se një pjesë e lartë e krimeve të të miturve kryhen midis orëve 15:00 deri në 18:00 çdo ditë, dhe këto raporte kanë krijuar interes në rritje për strategjitë që do të zënë nxënësit në mënyrë produktive gjatë këtyre orëve.

Ajo sqaron se përveç sigurimit të mbikëqyrjes, shkollat verore po shihen tani si një mjet efektiv për përmirësimin e arritjeve akademike, ofrimin e mundësive për pasurimin akademik dhe ofrimin e veprimtarive sociale, kulturore dhe zbavitëse.

“Duhet propozuar akordim fondesh nga qeveria  për programet pas-shkollore  edhe si një mjet për të përshpejtuar arritjet e nxënësve të vendosur në risk të dështimit akademik për shkak të varfërisë, mungesës së mbështetjes prindërore, mundësive të reduktuara për të mësuar dhe faktorëve të tjerë socioekonomik dhe akademik”, sugjeron Shanaj.

Kjo pasi shkollat verore synojnë argëtimin dhe kalimin e kohës në mënyrë produktive, dallon psikologia.

Ato synojnë “vazhdimin e zhvillimit arsimor, kulturor e sportiv, zbulimin dhe zhvillimin e talenteve dhe interesave të tyre, ndihmojnë në një zhvillim të qëndrueshëm të fëmijës në aspektin emocional, mendor dhe social”.

Gjithashtu ndihmojnë në “pajisjen e fëmijëve me aftësi praktike përshtatjen me mjedise të reja dhe  ndërtimin e marrëdhënieve”, përmbyll Shanaj.

Përvoja e një të riu

Mirëpo, shkollat verore nuk ndiqen vetëm nga nxënësit.

Pjesëmarrja në to është përqafuar edhe nga të rinjtë, studentët, të cilët përpos argëtimit dhe angazhimit gjatë verës, përfitojnë edhe thellim të njohjeve akademike.

Dhe një prej atyre që i kanë frekuentuar këto shkolla verore është edhe Eljon Mulgeci.

Ai ka treguar për Albanian Post se fakulteti ku studion, ai Ekonomik, e ka realizuar shkollën verore të këtij viti në një udhëtim jashtë Tiranës.

Dhe se ky rrugëtim akademik është organizuar nga vetë studentët e fakultetit.

“Përveç argëtimit, mundësisë për t’u socializuar dhe njohur me njëri-tjetrin, studentët trajnohen nga pedagogë të universitetit dhe jo vetëm”, shprehet Mulgeci.

Ai thekson edhe faktin se kjo shkollë verore e kësaj here vjen pas afro dy viteve që studentët kanë qenë të detyruar të ndjekin mësimin online për shkak të ndalimeve të pandemisë.

I riu rrëfen se përmes kësaj shkolle verore ka pasur mundësinë të trajnohet rreth lidershipit dhe të informohet rreth formave të shkëmbimit të mallrave që prej lashtësisë e deri te monedhat digjitale.

Gjithashtu “si pjesë e grupit organizator, mu ofrua mundësia të fitoja eksperiencë në menaxhimin e situatave të ndryshme dhe menaxhimin e një grupi shumë të madh studentësh dhe pedagogësh”.

Sipas Mulgecit, me rëndësi është edhe pajisja e studentëve me një certifikatë nga ana e trajnuesve dhe fakultetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore