Kosova

Vendimi për Manastirin, Historianët e Deçanit kërkojnë dorëheqjen e Kurtit


Foto: Albanian Post

Vendimi i Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për Manastirin e Deçanit, ka bërë që Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit, pasi që kanë konsideruar se një vendim i tillë është sulm juridik që i është bërë rendit kushtetues të vendit.

Në njoftimin e bërë nga Lidhja e Historianëve, dega në Deçan, pas analizës së bërë me rastin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për kalimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, kanë vlerësuar se “ky është sulmi më i madh juridik që i është bërë rendit kushtetues të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit tonë në vitin 2008”.

Sipas tyre, Kosova është rasti i parë në Evropë i cili i zbaton ligjet e ish-vendit kolonial Serbisë dhe që i njeh si të aplikueshme e të zbatueshme ligjet e ish-pushtetit sundues.

“Rasti i pronave në Deçan është rasti konkret dhe argument i padiskutueshëm”, theksohet aty.

“Andaj, duke marrë për baza që zbatimi i aktgjykimit të kushtetueses për Deçanin, është sulmi më i madh juridik kundër rendit kushtetuese të Republikës sonë dhe që tashme është e ditur se ky akt gjykim bazën e ka në akt dhuratat dhe ligjet e kohës së [Kasapit të Ballkanit, Sllobodan] Millosheviç-it, e kjo e fundit e potencuar edhe disa herë nga kryeministri Kurti, vlerësojmë se është pjekur koha dhe është momenti që Kurti të japë dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së së Kosovës”.

Dorëheqja Kurtit nga detyra e kryeministrit, në vlerësimin e tyre, “është me se e nevojshme dhe tepër e domosdoshme për faktin se ai shkeli mbi fjalën e tij të dhënë, e të proklamuar që mbi dy dekada”.

“Madje e rikujtojmë së ai për ditë të tëra e ka bllokuar e rrethuar Komunën e Deçanit me të vetmin qëllim që të kundërshtonte pretendimet e kreut të Manastirit të Deçanit karshi Deçanit dhe pronave publike si dhe në kohën e tij dhe nga ai vetë u lejua zbatimi i vendimeve të Millosheviç-it në Kosovë”.

“Ne, kemi shpresuar që Kurti si kryeministër nuk do të lëshon pe sa i takon pronave në Deçan, por doli e kundërta dhe ai madje pranoj që të zbatohen vendimet e Millosheviç-it në Kosovë dhe këtë e urdhëroi me nënshkrimin e tij”.

Historianët e Deçanit kanë shtuar se zbatimi në praktik i, sic e kanë quajtur ata, “akt dhuratave dhe ligjeve të kohës së Millosheviçit në Kosovë me urdhrin ekzekutiv të Kurtit si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është maja e sulmit kushtetuese e juridik që bëri fillimisht Gjykata Komunale e Pejës, me pastaj Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e pasuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe e vazhduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në fund e realizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës”.

Ata kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që sa më parë dhe me një procedurë të përshpejtuar të miratojë një Ligj të veçantë apo Ligj special me të cilin do të i shpallë të pavlefshëm të gjitha ligjet, vendimet, akt faljet dhe aktet nënligjore që i ka marrë regjimi i Millosheviç-it për Kosovën e sidomos “për pronat e kishave dhe manastireve politike që janë ndërtuar në Kosovë gjatë periudhës 1989-1999”.

“Është koha e fundit që të miratohet një Ligj i tillë, pasi që rasti i pronave në Deçan është precedent i rrezikshëm për Kosovën dhe madje do të shërbejë si precedent i rrezikshëm i cili do të hap probleme të pariparueshëm për Kosovën dhe rendin tonë kushtetuese e juridik”.

Lidhja e Historianëve thotë se në lidhje me këtë ligj vite me parë i ka dërguar edhe një shkresë zyrtare Kuvendit të Republikës së Kosovës, por kjo çështje, theksojnë ata, “mbeti në harresë nga kjo përbërjeje aktuale e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore