Lajme

Vendimi për largimin e strukturave paralele serbe nga objektet komunale “mund ta thellojë” krizën në Veri


Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Vendimi për largimin e strukturave paralele serbe nga ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut në Lagjen e Boshnjakëve, sipas komentatorëve politikë, do ta thellonte tutje tensionin në Veri dhe mund të nënkuptohet si një përpjekje për t’iu shmangur zbatimit të obligimeve që Kosova i ka pranuar në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sipas Visar Ymerit, Drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, zbatimi i këtij vendimi nënkupton “distancim shtesë” nga mundësia e arritjes dhe zbatimit të marrëveshjes.

Largimi i strukturave paralele, vendim që duhej të zbatohej me 25 gusht, por që është shtyrë për dy javë, është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët, njëzëri e kanë konsideruar si një veprim që nuk i kontribuon de-eskalimit të situatës në Veri.

Prandaj, edhe Ymeri, duke pasur parasysh kundërshtimet e aleatëve të Kosovës, thekson se secili vendim i cili ka qenë i pakoordinuar me vendet perëndimore dhe i cili ka shkaktuar tension “i ka kushtuar shtrenjtë” Kosovës.

“Na kanë vendos nën sanksione, vendimi nuk ka arritur të zbatohet, ndërkohë që pjesa Veriore e vendit është larguar edhe më shumë nga të qenit një pjesë integrale e territorit e pjesë kohezive e shoqërisë brenda funksionalitetit institucional”, potencoi Ymeri në një bisedë për Albanian Post.

Visar Ymeri

Këtë nismë të Komunës së Mitrovicës Veriore, e cila udhëhiqet nga Erden Atiq – që është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje – të mbështetur nga niveli qendror, për analistin politik është në vazhdën e veprimeve që qeveria e Albin Kurtit i ka ndërmarrë në Veri.

Duke thënë këtë, Ymeri ka parasysh vendimin për targat, “i cili mbeti i pazbatuar”, madje u përcoll me bojkotim të institucioneve nga qytetarët serbë, që janë shumicë në atë zonë; vendimin për instalimin e kryetarëve shqiptarë në zyrat e objekteve komunale, çka shkaktoi krizën më të madhe ndonjëherë atje, dhe ku Kosova u bë përgjegjëse për të gjithë situatën e krijuar.

Të gjitha këto veprime për ish-bashkëpartiakun e kryeministrit Kurtit i sollën “vetëm dëme” Kosovës.

“Nuk e shoh se si ky vendim i fundit mund të sjellë dobi”, insiston ai.

I pyetur nëse me këso vendimesh, kryeministri Albin Kurti, po përpiqet që t’i “shmanget” obligimeve që i ka marrë, fillimisht në Bruksel dhe pastaj në Ohër, ku ai dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e BE-së nënshkruan Marrëveshjen Bazike, Ymeri s’do që të paragjykojë, por se nënvizon se veprime të tilla po e largojnë edhe më shumë Kosovën nga përfundimi i dialogut me Serbinë.

“Pavarësisht qëllimeve e mendimit që mund ta ketë kryeministri dhe qeveria për vendimet e tilla, mendime këto të cilat nuk mund t’i paragjykojë, këto vendime e veprime po e largojnë edhe më shumë Kosovën nga zbatimi i marrëveshjes dhe përfundimi i procesit të stërzgjatur të dialogut me Serbinë”.

Kështu, thekson ai, “po humbim shumë si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe në zhvillimet e brendshme politike”.

Kurse për profesorin e shkencave politike, Dritëro Arfi, vendimi për largimin e strukturave paralele serbe nga ndërtesat komunale është vendim i duhur, por se mendon se vjen “në kohën e gabuar”.

“I bie që vendimi është i drejtë, pra duhet të largohen, por çështja është që duhet të zgjidhet koha që të mirët një vendim i tillë”, tha ai në një bashkëbisedim me AP.

Më 10 gusht, Kosova në Bratislavë, në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, pranoi – ndër të tjera – që në katër komunat Veriore të organizojë zgjedhje të reja pas atyre të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Prandaj, në këtë kontekst, Arifi potencon se “nëse dëshirojmë që të kemi zgjedhje në Veri me participimin e komunitetit serb, atëherë duhet që ky vendim të bëhet pas zgjidhjeve”.

“Pas zgjedhjeve është më lehtë të bëhet, sepse edhe problemet politike nuk marrin konotacione negative”, beson ai.

Dritëro Arifin

Një vendim i tillë, sipas vlerësimit të profesorit, ka një peshë shumë të madhe edhe në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, prandaj beson ai që duhet bërë në koordinim “shumë të ngushtë” me partnerët ndërkombëtarë.

Zbatimi i këtij vendimi për kohën kur është përcaktuar, për analistin Arifi i bie që procesi i zgjedhjeve të reja në Veri të mos ndodhë fare – për çka Kosova ka dhënë zotimin e saj në Bratislavë të Sllovakisë.

“Rrjedhimisht nënkupton që pala kosovare nuk po dëshiron që të marrë përgjegjësi për marrëveshjen e Ohrit”, potencoi ai për AP.

“Duke krijuar probleme të reja ne nuk mund të merremi me çështjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve. Të paktën duhet që t’i përfundojmë detyrat tona të shtëpisë”.

Afati për largimin e strukturave paralele serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut më 25 gusht ishte shtyrë për dy javë.

Më 22 gusht, inspektorati komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut kërkoi prej tyre që, brenda tri ditësh, të premten e 25 gushtit, ta lironin objektin, për shkak se të njëjtit nuk dorëzuan dokumente apo kontrata për shfrytëzimin e tij.

Por, përkundër këtij “ultimatumi”, në ditën kur duhej që strukturat paralele t’i lironin hapësirat e ndërtesës komunale, vendimi u shty edhe për dy javë të tjera.

Konfirmimi i shtyrjes së vendimit kishte ardhur nga kryetari i Mitrovicës së veriut, Erden Atiq.

“Po, është e vërtetë që është shtyrë afati për dy javë”, kishte thënë Atiq shkurtimisht, pa dhënë detaje shtesë se cila ishte arsyeja që e kishte shtyrë për të marrë një vendim të tillë.

Kërkesat për ta liruar hapësirën e komunës nuk po i penguar punëtorët e strukturave paralele ilegale që të dalin “në punë” si zakonisht, duke shpërfillur kështu totalisht vendimet e komunës.

Shtyrja e zbatimit të këtij vendimi edhe për dy javë kishte ardhur dy ditë pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe një ditë pasi që Bashkimi Evropian, kishin dalur hapur kundër.

Më 23 gusht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë vuri në pah se vendimi i autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut, për lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, nga ambasada e ShBA-së thonin se e kanë këshilluar paraprakisht Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në Veri të vendit, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i shtojë shtresa të reja tensioni një atmosfere tashmë të njohur.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, kanë deklaruar ata.

Për Bashkimin Evropian vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për largimin e institucioneve ilegale serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve është në kundërshtim me përpjekjet për de-eskalimin e situatës në Veriun e vendit dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media të enjten e 24 gushtit ishte shprehur i shqetësuar për ndikimin që mund të kenë në situatën e sigurisë në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vendimet e fundit të autoriteteve lokale për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave komunale.

Sipas zëdhënësit të BE-së, çështja e strukturave paralele ilegale që udhëhiqen e financohen nga Serbia duhet që të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, kishte deklaruar Stano.

Në arsyetimin e vendimit të tyre, autoritetet komunale thanë se objekti është pronë e tyre dhe se duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”, pa specifikuar saktësisht se për çfarë punime bëhet fjalë.

Ky vendim vjen pasi që në Veri të Kosovës që nga 26 maji kishte mbizotëruar një situatë tejet e tensionuar.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore – Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq – kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë – të cilët janë shumicë në këtë zonë.

Ata ishin tejet të ashpër në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar kishte ngjarë të hënë e 29 majit – ku protestuesit e dhunshëm serbë kishin sulmuar ushtarët e KFOR-it.

Si pasojë kishin mbetur të lënduar dhjetëra trupa të misionit paqeruajtës, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata kishte agravuar edhe më tej më 14 qershor, pasi që xhandarmëria serbe kishte kidnapuar tre policë ët Kosovës, të cilët u liruan vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar.

Për tensionimin e situatës në Veri, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar shumë ashpër publikisht Kosovën, madje të njëjtit kishin vendosur masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, kjo për shkak të refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri.

Kosova do ta pranonte vetëm pas masave ndëshkuese planin e de-eskalimit – i cili kishte kohë që ishte propozuar nga BE-ja dhe mbështetej nga ShBA-ja.

Kjo kishte ndodhur me 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me Emisarin Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, në Bratislavë të Sllovakisë.

Në marrëveshjen e publikuar nga qeveria me 11 korrik, bëhej me dije se Kosova kishte pranuar reduktimin e njësive policore në dhe rreth objekteve komunale në Veri të vendit, dhe ishte pajtuar që atje të mbahen zgjedhje të reja, kjo pas atyre të 23 prillit, të cilat ishin bojkotuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Përkundër kësaj, ndaj Kosovës ende nuk janë larguar masat ndëshkuese, pasi që nga BE-ja po kërkojnë hapa shtesë për de-eskalimin e situatës në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore