Kosova

Vela pas vrasjes së policit: Vuçiç do të dështojë me agresionin e paprecedentë kundër Kosovës


Shefi i kabinetit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në “Twitter” ka reaguar pas vrasjes së një polici në veri të vendit.

“’Njerëzit e vegjël të gjelbër’ të Serbisë me automjete të blinduara janë 15 km brenda territorit të Kosovës (Banjska), ku një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës rezultoi në vdekjen e një polic të Kosovës dhe plagosjen e një tjetër”, vëren fillimisht zyrtari kosovar.

Sipas tij, Vuçiç i është drejtuar një agresioni të paprecedentë kundër Kosovës.

“Ai do të dështojë!”, garanton Vela në reagimin e tij.

Kujtojmë që, një polic i Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos në një të shtëna në një fshat në veri të Kosovës herët të dielën, tha në një deklaratë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në këtë moment, të shtënat me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm kundër policisë sonë janë ende në vazhdim”, ka thënë Kurti në postimin në Facebook, ku e cilëson incidentin si veprim terrorist. “Sulmuesit janë profesionistë të veshur me maska dhe të armatosur rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore