Lajme

Vela: Me rrëmbimin e policëve, Vuçiç u munda ta largonte vëmendjen nga protestat e opozitës


Blerim Vela

Blerim Vela – shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, është një përpjekje e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për ta larguar vëmendjen nga protestat masive që është duke i mbajtur opozita atje.

Vela përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se “pavarësisht përpjekjes së kotë të Vuçiç-it për t’i etiketuar ato si marrëveshje të fshehtë me Kosovën dhe Kroacinë, protestat javore në Beograd kanë pjesëmarrje të madhe”.

“Këtë javë, ai iu drejtua nxitjes së retorikës nacionaliste pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, duke u përpjekur të largonte vëmendjen”, shkroi ai në “Twitter”.

Ndryshe, në Serbi është mbajtur protesta e shtatë me radhë, “Serbia kundër dhunës”, e organizuar nga opozita serbe.

Për dallim nga protestat e mëparshme, këtë të shtunë, përveçse në Beograd, është mbajtur edhe në Kragujevc, Novi Sad dhe Nish.

Protestat “Serbia kundër dhunës” janë mbajtur që nga 8 maji, në shenjë frustrimi për reagimin e institucioneve serbe pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Tubimi i qytetarëve serbë ka filluar në orë 18:00.

Marshimi i protestuesve këtë herë ishte më i shkurtër, pasi që siç thanë organizatorët, kjo është bërë me kërkesë qytetarëve të moshuar që kanë vështirësi në lëvizje dhe që dëshirojnë të marrin pjesë.

Një nga pankartat dhe thirrjet që është dëgjuar më së shumti ka qenë: “Vuçiç dorëhiqu”, “Vuçiç mbytet në gënjeshtrat e tij”.

 

Ndërsa, organizatorët e protestës kanë paralajmëruar që nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, tubimi i radhës do të mbahet në 10 qytete.

Ata janë duke kërkuar largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), ministrit të Policisë serbe, Bratislav Gashiç dhe kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin, konfiskimin e frekuencës kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy, si dhe anulimin e mediave që promovojnë dhunë dhe urrejtje.

Ndryshe, dhjetëra mijëra protestues ishin mbledhur në Beograd në protestën e gjashtë me radhë të thirrur nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë sikur në ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Serbi, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Siç raportonin mediat serbe në këtë protestë kishin marrë pjesë mbi 50 mijë qytetarë serbë.

Protesta kishte filluar nga ora 18:00 para Kuvendit të Serbisë, dhe ka vazhduar edhe pranë institucioneve të tjera serbe.

Kësaj proteste i ishin bashkuar shumë personalitete nga fusha të ndryshme, si aktorë, profesorë, këngëtar e profesorë.

Pas fjalimeve të parapara, ishin lëshuar tullumbace ku kërkohej dorëheqja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe ajo e kreut të Agjencisë së Sigurisë Informative serbe (BIA), Aleksandër Vulin.

Në balonat bardh e zi shkruhej “Rinisni sistemin”, ndërsa mbi pankartat “Vulin po largohet” dhe “Vuçiç po largohet”.

Ilustrim

Nëse kërkesat që po i parashtrojnë protestuesit serbë nuk realizohen, ishte paralajmëruar se do të ketë përshkallëzim të situatës.

“Kërkesat tona janë të qarta dhe të realizueshme. Zvarritja me Kuvendin nuk do të na bëjë të dorëzohemi, deri më tani kemi arritur fitore të vogla të përbashkëta dhe janë dëshmi se protestat kanë kuptim. Por kjo nuk mjafton. Ata jo vetëm që nuk e kanë anuluar reality shoë-n, por dje kanë paralajmëruar edhe xhirimet e sezonit të ri. Duhet të ndërpritet menjëherë transmetimi i programeve që promovojnë dhunën, nuk kemi më kohë për të pritur”, kishte thënë aktori serb Haxhi Mariçiç në fjalën e tij para protestuesve.

“Nëse kërkesat nuk plotësohen deri në fund të javës së ardhshme, protestat do të marrin një formë të re. Do të nisim aksione të reja nga skena, ndaj ju ftoj që herën tjetër të jeni më shumë se kurrë. Nuk ka kthim”, shtoi ai.

Në 4 qytete është mbajtur protesta e 7 me radhë e opozitës në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore