Kosova

Vajza e gazetarit Musliu, Velës: Nëse je bash-bash i interesuar për ADN-në e babait, të ftoj në shtëpi ta marrësh mostrën


Gazetari Fahri Musliu dhe vajza e tij Valbona

“Blerim Vela, para se të shkruash apo të komentosh mendo dy herë. Ose shkruaj e mos fshi, ose mos shkruaj fare”, ka thënë Valbona Musliu – vajza e gazetarit Fahri Musliu.

Këto komente, Musliu i ka bërë pasi që shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili njihet kryesisht për shkrime me platformën X, ka shlyer komentin e tij të turpshëm ku ndërlidhi gazetarin shqiptar Fahri Musliu me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Vetëm frikacakët, jo profesionistët, injorantët e të përdalët shkruajnë e më pas fshijnë…”, shkroi Musliu në Facebook.

E të guximshmit, sipas saj, “profesionistët, e të moralshmit u qëndrojnë prapa shkrimeve, fjalëve, statuseve e komenteve”.

“Blerim Vela sikur të isha afër do të vendosja në peshore për më e matë peshën tënde me karrierën e Fahri Musliut. Po, po, do i vendosja në peshore edhe vitet e tua nëse janë 50-të, sa ka karrierë Fahri Musliu, e besa do e peshoja edhe trurin tënd e intelektin”, shtoi ajo.

Mirë që nuk jam afër, theksoi ajo, “dhe nuk kam mundësi, sepse do të peshoja edhe me librat e shkruar, analizat, e mos të flas për raportet, intervistat e të tjera punë gazetareske të Fahriut….e mos ta lë anash edukatën familjare, dhe sa do kisha dashur qe një bagazh i tillë i një intelektuali, e mbi të gjitha një njeriu që s’ka lëpirë në pjata të huaja e as në këpucët e huaja, të ishte në institucionin qe ti edhe përfaqëson sot”.

“Blerim Vela, a ke harruar apo fare nuk ke pas dijeni se institucioni ku ti merr rrogë përfaqëson popullin e Kosovës, dhe aty je në shërbim, e nuk je në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

Vela, duke përfshirë gazetarin Musliu, duke iu përgjigjur presidentit serb Vuçiç – i cili doli me babanë e tij në një video ku thoshte se po sulmohet familja e tij dhe rrjedhimisht gjithë familjet serbe – shkroi në X, se “kjo është e kotë”, meqë për ta vërtetuar se nuk je djali i gazetarit shqiptar “duhet ta bësh me poligraf dhe testin e ADN-së”.

Por, s’u ndal me kaq, duke thënë edhe se përveç Vuçiç-it, duhet ta bëjnë bashkë “ti dhe Fahriu”.

Ndërsa, vajza e gazetarit Musliu i tha shefit të kabinetit së presidentes se nëse është edhe aq shumë i interesuar për ADN-në e babait të saj, “të ftoj në shtëpi ta marrish mostrën, por paraprakisht përgatitu profesionalisht, sepse  nuk je në kabinet të Presidentes”.

“Lexova qe je vet bashkëshort e baba dhe nuk e di  para se të shkruash a ke menduar për njollosjen e familjes Musliu? A ke menduar se Fahriu e ka bashkëshorten, katër vajza dhe gjashtë nipa e mbesa?”, e pyeti ajo Velën.

“Dhe jo vetëm kaq. Sigurisht se JO, sepse përtej zyrës e kolltukut nuk sheh më larg. A mendoni për dhunën psikologjike e emocionale qe u shkaktoni familjareve, në mos Fahriut, i cili tash e nëntë vite po ‘kryqëzohet’ nga mediat, me saktësisht nga ‘kolegët’ e vet, e së fundmi edhe nga njerëz si ty që përfaqëson një institucion shumë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës”, theksoi.

Tutje, ajo i tha Velës se “njolla jote, e as e dhjetëra mediave qe po e shpërndajnë lajmin tash e gati dhjetë vite, nuk e zbeh as fytyrën e as karrierën e Fahriut”, sepse, siç tha ajo, “e ka ndërtuar me shumë punë, mund e sakrificë”.

“Në fund dhe jo më pak të rëndësishme do e potencoja mënyrën tuaj të komunikimit që është për keqardhje!”, përfundoi ajo.

Blerim Vela e shlyen cicërimën e turpshme – ndërlidhi gazetarin Musliu me Vuçiç’in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore