Kosova

Ulutas takon Komandantin e Ushtrisë serbe, bisedojnë për situatën e sigurisë në Kosovë


Milan Mojsiloviç dhe Ozkan Ulutas

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, ka pritur në takim këtë të enjte komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral Ozkan Ulutas, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Në takim, siç kanë njoftuar Forcat e Armatosura të Serbisë, është diskutuar edhe për “zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për monitorimin e situatës në terren, parandalimin e krizave dhe parandalimin e përhapjes së dezinformatave”.

“Duke theksuar se Ushtria Serbe i përmbahet plotësisht Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, gjenerali Mojsiloviç edhe një herë theksoi se KFOR-i është i vetmi formacion legjitim i armatosur në Kosovë”, pretendojnë nga ushtria serbe.

Mojsiloviç, theksohet aty, shprehu pritjen që KFOR-i “të zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme mandatin e tij, t’i përgjigjet në kohën e duhur çdo përpjekjeje për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve, në radhë të parë serbëve, dhe të mbrojë trashëgiminë kombëtare, kulturore, historike dhe fetare serbe në Kosovë”.

Ndryshe, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas tensioneve të fundit në Veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, i janë shtuar trupat në rradhët e tij, për të treguar kështu vendosmërinë e Aleancës në parandalimin e çfarëdo incidenti që mund të shkaktonte ndonjë krizë më të gjerë.

“Në Veri KFOR-i është katërfishuar dhe janë trefishuar patrullimet” – intervistë ekskluzive me Özkan Ulutaş, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore