Lajme

Ulutas: KFOR i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide – dialogu zgjidhja e vetme për paqe afatgjate


Foto nga VOA: Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas.

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, duke folur për situatën e sigurisë në vend, ka konsideruar se e njëjta është e qetë, por se ka vlerësuar se e njëjta mbetet e brishtë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Ulutas ka thënë se misioni që ai është në krye është duke e ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë Veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, “përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale”.

“Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në Veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s”, ka deklaruar Ulutas.

Sipas tij, këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it “të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

“Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit”.

Po ashtu, ai ka thënë se KFOR-i vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara.

“Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë”, shtoi.

Duke folur për paralajmërimet e liderëve rajonalë, por edhe ekspertëve të sigurisë se mund të ketë përshkallëzime në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Ulutas ka theksuar se i merr seriozisht këto shqetësime.

“Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

“Ne kemi një marrëdhënie të gjatë tashmë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë zonë. Ne angazhohemi me ta në baza të rregullta. Ne e dimë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dëshirojnë dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme”.

Duke folur për sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj, si dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ai ka thënë se të njëjtat ishin të paprovokuara dhe të pa pranueshme.

“Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, potencoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore