Shqipëria

Udhëheqësi i ri i NATO-s, “miku i Edi Ramës”, do të ketë qasje pozitive ndaj Kosovës


Mark Rutte dhe Edi Rama

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, të mërkurën u emërua zyrtarisht Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, duke zëvendësuar në këtë pozitë Jens Stoltenberg.

Udhëheqjen e Aleancës më të fuqishme ushtarake botërore, holandezi do ta marrë më 1 tetor 2024, kur i përfundon mandati kreut aktual të NATO-s.

Rutte nuk është një emër i panjohur edhe për publikun në Kosovë. Nga liderët institucionalë, gjithmonë është paraqitur si një partner me të cilin mund të diskutohen sfidat më të cilat përballet vendi i vogël ballkanik, si siguria e avancimi euro-atlantik.

Ai, madje edhe kishte vizituar Kosovën në korrik të vitit të kaluar. Kjo vizitë e tij kishte ardhur në një kohë kur tensionet me Serbinë, për shkak të situatës në Veri të vendit, kishin arritur kulmin, ku kishte kërkuar – siç bënin të gjitha vendet perëndimore – që autoritetet kosovare të angazhoheshin në uljen e tensioneve dhe t’i ktheheshin dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Tani si Sekretar i NATO-s, çka mund të pres Kosova nga Rutte?

“Rutte do të ketë qasje pozitive ndaj Kosovës”, thotë Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Prishtinë në një prononcim për Albanian Post.

Diplomati holandez përmend përvojën e gjatë të Rutte-s në politikën e jashtme, derisa konsideron se si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, nuk do të aplikojë politika të reja, “por do t’i duhet t’i zbatojë ato” që kanë qenë.

Robert Bosch

Kryeministri i Holandës, përveç marrëdhënieve të ngushta, ka edhe miqësi me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe duke pasur parasysh këtë, Bosch nënvizon se ai duhet të jetë i vetëdijshëm për zhvillimet pozitive në lidhje me bashkëpunimin më të ngushtë me Kosovën dhe “me siguri do të jetë pozitiv ndaj saj”.

Ndërsa, ish-Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, duke përmendur dëshirën e pothuajse secilit qytetarë të Kosovës që ta shoh Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s, beson se Rutte “mund të ndihmojë në këtë proces”.

“Por, shumë më tepër Kosova mund t’i ndihmojë vetes duke e konfirmuar para Aleancës që është vend stabil në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomisë”, thotë nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për AP.

Mimoza Ahmetaj

Sa i përket raporteve të Kosovës me Aleancën, Ahmetaj thekson se deri më tani “kemi ecur paralelisht” si me ndërtimin e ushtrisë, rritjen e kapaciteteve ushtarake, por, megjithatë shton se “ende NATO është mekanizëm që neve na garanton sigurinë, sidomos në kufi me Serbinë dhe shtetet anëtare së fundmi në vend që ta zvogëlojnë numrin e trupave të tyre, e kanë rritur, për shkak të sigurisë fragjile në vend”.

“Rritja e sigurisë në vend do te përkthehej edhe me zvogëlimin e numrit të ushtarëve të NATO-s në vend. Kosova duhet të jetë ofrues i sigurisë dhe jo konsumues i saj, në mënyrë që ne të avancojmë më tutje në raport me NATO”, mendon.

Ahmetaj ka vlerësime edhe për mënyrën se si Rutte ka vepruar si politikan deri më tani.

“Rutte që është me orientim liberal, që për 14 vjet ka qenë Kryeministër i Holandës, njihet si politikan i cili din të krijojë aleanca për të arritur qëllime të caktuara”.

Ndryshe, Mark Rutte është zyrtarizuar si Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s më 26 qershor.

Zgjedhja e Rutte-s ishte një formalitet, pasi që rivali i tij i vetëm për këtë post, Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se ai ishte larguar nga gara, pasi nuk arriti të fitonte mbështetje.

Rutte do të udhëheqë Aleancën ushtarake e cila para 25 viteve bombardoi Serbinë për shkak të spastrimit etnik që po e bënte në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore