Kosova

U vazhdohet paraburgimi 3 të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjë


Foto Albanian Post: Sulmi në Banjë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, tre të dyshuarve, Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç, për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Lajmin e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi, e cila ka thënë se ky vendim erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

“Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë ajo për mediumin “Betimi për Drejtësi”.

Tre të dyshuarit gjenden në paraburgim nga data 26 shtator të vitit 2023.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla akuzoi Millan Radojiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku shihej Radojiçiçi i armatosur në Banjë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërtetonte, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia e publikuar nga Sveçla, dëshmoi se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e ish- shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore