Shqipëria

Tym “gri” pas takimit Paloka-Bardhi


Ende nuk ka dakordësi totale mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike për kandidatin e përbashkët të zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

E vetmja gjë që konfirmoi takimi mes deputetit Edi Paloka dhe ish-numrit dy të selisë blu Gazment Bardhi është “vullneti i përbashkët për diskutim”.

“Po vijojmë diskutimet”, deklaroi Bardhi për gazetarët pas takimit.

Takimi mes palëve zgjati rreth 1 orë e gjysmë.

I pari nga takimi ka dalë Gazmend Bardhi dhe pak pas tij edhe Edi Paloka.

“Nuk ka dështuar, është vullneti i përbashkët për të dalë me një kandidat”, u shpreh Paloka nga ana e tij.

Të dy deputetët janë mandatuar nga grupet respektive për t’u ulur në diskutime lidhur me kandidatin e përbashkët.

Kjo e fundit, u konfirmua më 10 tetor nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

“Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar”.

Më herët, kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një takim me drejtuesit e grupeve të punës të cilët po drejtojnë aksionin politik të kësaj force politike.

Berisha vërejti gjatë mbledhjes se aksioni politik i së djathtës do të ketë dy drejtime: Organizimi i primareve dhe i protestave.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se Partia Demokratike duhet të qartësojë sa më shpejt se cilët do të jenë kandidatët përballë mazhorancës socialiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore