Lajme

Turqia liston kërkesat për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO


Turqia ka publikuar një listë të kërkesave të saj që Ankaraja zyrtare të pranojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Lajmin e bëri të ditur “E Vërteta Evropiane”, duke cituar shërbimin për shtyp të qeverisë turke.

Pika e parë në kërkesat e publikuara janë “garancitë konkrete” të Suedisë kundër organizatave kurde dhe gyleniste.

Këto të fundit, Turqia i konsideron terroriste, duke përfshirë ndërprerjen e mbështetjes dhe financimit të tyre politik.

Autoritetet turke thonë se Suedia ofron mbështetje me armë për partinë kurde PKK/PYD, duke përfshirë dronë dhe armë antitank.

Turqia po kërkon gjithashtu heqjen e embargos suedeze dhe sanksioneve kundër saj.

Kjo, në përgjigje të “veprimeve legjitime të Turqisë për të mbrojtur të drejtat e saj ndërkombëtare në Mesdhe dhe për të siguruar kufirin sirian”.

Pika e fundit e kërkesave të Turqisë është “bashkëpunimi global në luftën kundër terrorizmit”.

“Ne mbetemi mbështetës të derës së hapur të NATO-s, por besojmë se Aleanca dhe vendet kandidate duhet të punojnë së bashku për të luftuar terrorizmin, siç bëjnë në fusha të tjera që po shqetësojnë Turqinë”, shkruhet në deklaratë.

Turqia është bërë i vetmi anëtar i NATO-s që kundërshton pranimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore