Lajme

Turqia ende s’ka shqyrtuar bashkëpunimin me Rusinë për “Bayraktar-ët”


Kreu i Autoritetit të Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Ismail Demir, deklaroi se departamenti i tij aktualisht nuk po shqyrton bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë për prodhimin e përbashkët të dronëve.

Lajmi u bë i ditur nga botimi turk “Hurriyet”, duke cituar intervistën me Demir-in.

“Nuk mund të them asgjë. Nuk ka ardhur asgjë në agjendën tonë për të cilën duhet të fillojë puna. Ky proces po formohet në kuadër të politikës së Republikës së Turqisë. Ne do të punojmë në aspektin teknik të çështje”, theksoi zyrtari turk.

Presidenti rus Vladimir Putin i shprehu homologut turk Recep Tayyip Erdogan dëshirën e tij për të bashkëpunuar me kompaninë “Baykar”, e cila prodhon, në veçanti, dronët sulmues Bayraktar.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Erdogan në një takim të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, shkruan “CNN Turk”.

“Le të punojmë së bashku me Baykar-in”, citoi Erdogan – presidentin rus – para anëtarëve të partisë.

Sipas liderit turk, Emiratet e Bashkuara Arabe i ofruan atij bashkëpunim edhe me prodhuesin e dronëve Bayraktar.

Erdoğan tha se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shfaqur dëshirën për të ndërtuar fabrikën Baykar në territorin e tyre.

Më herët, u raportua se presidenti turk do të zhvillojë një vizitë njëditore në Sochi të premten e 5 gushtit, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.

Në agjendën e vizitës së ardhshme, veçanërisht, është tema e luftës së Federatës Ruse kundër Ukrainës.

Kujtojmë se drejtori i përgjithshëm i kompanisë turke Baykar Haluk Bayraktar deklaroi se kompania nuk do t’i shesë Rusisë drone Bayraktar.

Në muajin prill, Rusia u ankua në Turqi për shitjen e dronëve Bayraktar TB2 në Ukrainë, të cilët janë bërë një nga mjetet më efektive për të luftuar agresionin rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore