Lajme

Turqia do mirëpresë raundin e radhës të bisedimeve Ukrainë-Rusi


Raundi tjetër i bisedimeve ndërmjet delegacioneve zyrtare të Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet në Turqi më 28-30 mars.

Lajmin e bën të ditur “E Vërteta Ukrainase” që citon David Arahamiya-n, anëtar i delegacionit ukrainas dhe kreu i fraksionit “Shërbëtori i Popullit”.

“Në raundin tjetër të bisedimeve në video u vendos që raundi tjetër i drejtpërdrejtë të mbahet nga dy delegacionet në Turqi më 28-30 mars”, deklaroi Arahamiya pa dhënë detaje të tjera.

Turqia u përpoq edhe më herët të ndërmjetësonte midis palëve.

Përpjekjet

Më 10 mars, në Turqi u zhvilluan bisedime midis ministrave të Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmitry Kuleba, Turqisë Mevlut Çavusoglu dhe Federatës Ruse Sergej Lavrov.

Nga ana tjetër, Turqia është e gatshme të shqyrtojë mundësinë për t’u bërë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës në të ardhmen.

Ankaraja po bën gjithashtu përpjekje për të organizuar një takim mes presidentëve të Federatës Ruse dhe Ukrainës, Vladimir Zelensky dhe Vladimir Putin.

Turqia thotë se një pushtim rus është i papranueshëm.

Por në të njëjtën kohë, ajo në thelb kundërshton sanksionet perëndimore dhe nuk u është bashkuar atyre.

Më 26 mars, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se vendi i tij ishte gati të konsideronte qëndrimin e oligarkëve rusë.

Deklarata e Erdogan

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten e 25 marsit se Ukraina dhe Rusia kanë arritur “një mirëkuptim” për katër nga gjashtë temat e mosmarrëveshjeve të diskutuara gjatë negociatave.

Duke folur me gazetarët gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Bruksel, Erdogan tha gjithashtu se do të fliste me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërsa me presidentin rus Vladimir Putin do të komunikonte gjatë fundjavës “ose gjatë ditëve të para të javës së ardhshme”.

“Janë gjashtë tema të negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, mes tyre duket se ka një mirëkuptim për katër tema”, do të shprehej kreu i shtetit turk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore