Lajme

Trysnia mbi pesë vendet e BE-së për ta njohur Kosovën është më e madhe se në vitin 2008, thotë Selakoviç


Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviç

Trysni e madhe po zhvillohet mbi pesë vendet njohëse të pavarësisë së Kosovës brenda Bashkimit Evropian, ka thënë kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç.

Ky presion, tha Selakoviç, është bërë edhe më i madh se ç’kishte qenë në vitin 2008 kur Kosova kishte shpallur pavarësinë.

Mes tjerash, kryediplomati serb deklaroi se Serbia e ka për detyrë të mos lejojë, siç tha ai, “të manipulohet me çështjen e Kosovës”.

“Ka shumë presion mbi këto vende (Greqinë, Qipron, Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë), më shumë se asnjëherë më parë, më shumë se në vitin 2008. Ka veprime dhe marrin shumë kohë”, i ka thënë ai televizionit serb “Happy”.

“Na mbetet neve të bëjmë më të mirën që mundemi të mirëmbajmë marrëdhënie miqësore me këto vende, të kuptojmë se për ta nuk është e lehtë, për shkak të presionit dhe shantazhit që bie mbi ta”.

Selakoviç vazhdoi narracionin e kahershëm duke thënë se “Perëndimi ka standarde të dyfishta kur mbështet integritetin territorial të Ukrainës, dhe jo të Serbisë”.

Ministri i jashtëm serb gjithashtu akuzoi kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, për, siç tha ai, “lëvizje të njëanshme” në raport me Serbinë, si dhe se “Kurtit i rrahin shpinën disa vende të Perëndimit”.

“Serbia është faktor stabiliteti, nuk reagon ndaj të gjitha provokimeve, dhe falë presidentit Aleksandër Vuçiç, secili vendim që është marrë ka qenë i matur”, ka vazhduar ai, referuar vendimeve të fundit të qeverisë së Kosovës që komuniteti serb i Kosovës t’i regjistrojë veturat me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

“Serbia nuk është thes për t’u rrahur dhe Serbia do ta ruaj veten dhe interesat kombëtare të saj kur kërcënohet e kur sulmohet. Kushdo që dëshiron të luaj me zjarrin duhet ta dijë këtë”.

“Nëse dikush dëshiron të ulet me ne dhe të zgjidh problemet, do të na ketë partner, por nëse dikush dëshiron të sigurojë jetesën në kurriz të popullit tonë, duhet ta dijë se nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar kryediplomati serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore