Shqipëria

Tiranë: Nën hetim 7 pronarë argjendarish, shisnin bizhuteri kontrabandë


Në Tiranë, Sektori Kundër Krimit Ekonomik ka proceduar penalisht pronarët e 7 argjendarive, të cilët shisnin bizhuteri të kontrabanduara.

Ne argjendaritë e administruara prej tyre, janë gjendur bizhuteri si varëse, byzylykë, unaza, me mbishkrimin “Pandora”, të cilat nuk i justifikonin me fatura doganore dhe tatimore, dhe te dyshuara kontrabandë.

Ndërkohë këto subjekte nuk kanë të drejtë të tregtojnë bizhuteri të markës “Pandora” pasi është markë e mbrojtur.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, finalizuan operacionin policor të koduar “Second hand”.

Në kuadër të tij u proceduan penalisht shtetasit G. S., 36 vjeç, F. D., 27 vjeç, M. B., 44 vjeçe, I. B., 37 vjeçe, F. S., 29 vjeç, I. I., 33 vjeç, F. A., 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Këta shtetas tregtonin në 7 dyqanet e tyre, tregtonin sende me vlerë (bizhuteri) të një marke të mbrojtur, të dyshuara të kontrabanduara, për të cilat nuk dispononin fatura doganore dhe tatimore.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të sendeve me vlerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore