Shqipëria

Tiranë/ Në pranga 16 protestues, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan policinë


Në Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me protestën që u zhvillua të mërkurën e 9 marsit.

Gjatë saj, protestuesit bllokuan disa rrugë të kryeqytetit në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve.

Referuar burimeve zyrtare, 16 persona përfunduan pas hekurave dhe pesë të tjerë janë proceduar penalisht.

Strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kanë kryer arrestime për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasit e arrestuar sipas policisë janë E. Ç., 21 vjeç, A. Z., 22 vjeç, V. P., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, Gj. P., 22 vjeç, S. Rr., 33 vjeç, P. S., 22 vjeç, E. N., 22 vjeç, E. L., 25 vjeç, M. D., 43 vjeç, A. M., 32 vjeç, A. N., 23 vjeç, E. A., 20 vjeç, Sh. M., 25 vjeç, Xh. L., 25 vjeç, dhe B. L., 28 vjeç.

Kurse shtetasit që janë proceduar penalisht janë E. H., 20 vjeç, E. P., 23 vjeç, A. A., 36 vjeç, M. K., 20 vjeç, dhe E. V., 22 vjeç.

Nga ana tjetër, bëhet me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës.

Për veprime të mëtejshme procedurale, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Po ashtu u është drejtuar thirrje qytetarëve të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore