Kosova

Thyhet – përsëri – “rezistenca” e Kurtit, ia jep tokat Manastirit të Deçanit


Foto: Albanian Post

Listës së gjërave që si opozitar i kishte kundërshtuar në forma tejet të ashpra, duke përdorur edhe mjete jo demokratike, Albin Kurti në kostumin e Kryeministrit të Kosovës – pozitës më të rëndësishme institucionale në vend – të mërkurën ia ka shtuar edhe një: zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Kishte kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në pushtet e pranoi një draft-statut për këtë mekanizëm – për herë të parë në histori që kur flitet për një gjë të tillë; kishte deklaruar se nuk shkon në dialog pa kërkuar falje Serbia, shkoi si pushtetar; kishte thënë se dialogu nuk është prioritet i qeverisë së tij, që nga koha kur është kryeministër është tema që më së shumti është angazhuar; s’e kishte respektuar himnin dhe simbolet e shtetit, në petkun e pushtetarit e respekton; kishte proklamuar bashkimin kombëtar, gjatë pushtetit të tij përveç se është tërhequr nga kjo ide, raportet me Shqipërinë kanë qenë në pikën më të ulët ndonjëherë; kishte thënë se nuk i nënshtrohet presionit ndërkombëtar, shumicën dërrmuese të gjërave që ata i kanë kërkuar i ka jetësuar.

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet drastike që Kurti si pushtetar i ka bërë, në konteksti krahasimtar me Kurtin si opozitar.

Përveç këtyre, ai e ka shtuar edhe këtë për Manastirin e Deçanit, të cilën e bëri në mbledhjen e 193-të të ekzekutivit, ku urdhëroi Agjencinë Kadastral që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, me arsyetimin se pa zbatimin e tij Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Si opozitar, kryeministri aktual për ta kundërshtuar dhënien e tokave Manastirit të Deçanit, e cilësonte këtë vendim diskriminues të kohës së Kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviç-it, madje besonte se priftërinjve aty i mjaftojnë jo më shumë tokë se katër hektarë.

“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vetë edhe unë jam dakord që duhet të ketë ca tokë që i nevojitet për punë dhe jetesë priftërinjve aty, mirëpo jo kjo të jetë në llogari të popullsisë lokale”, thoshte Kurti në petkun e opozitarit.

Ndryshe nga Kurti si udhëheqës i vendit, Kurti opozitar, asokohe, nuk e kishte të qartë pse Manastirit të Deçanit i duhen 1 mijë hektarë tokë, meqë në vlerësimin e tij, kjo njësi e tokës “ishte tepër shumë për ata tepër pak njerëz që jetojnë e banojnë aty”.

“Në fund të fundit unë i kuptoj që ata priftërinjtë që janë në Manastir të Deçanit kanë nevojë për tre hektarë e katër hektarë, por çfarë i duhet 1 mijë hektarë, çfarë do të bëjnë ata priftërinjtë aty me 1 mijë hektarë”, deklaronte Kurti opozitar.

Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit nga Kurti si pushtetar

Pasi që urdhëroi Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, në përpjekje e sipër për t’u arsyetuar, kryeministri Albin Kurti tha se pa zbatimin e tij Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Sipas tij qeveria që ai drejton ka qenë para dy opsioneve: të plotësojë këtë kusht në atë mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, apo të ngelë pa u anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtar.

Kurti  deklaroi se ekzekutivit të tij nuk i pëlqen vendimi në fjalë, derisa e ka cilësuar si të çuditshme e të padrejtë.

Megjithatë ai ka pranuar se qeveria nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin në fjalë.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kurti duke arsyetuar vendimin në fjalë, ka potencuar se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj këtij vendimi të dëmshëm nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, Kurti, siç ka theksuar vetë, është prirë nga arsyeja e shëndosh.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë.

“Askush nuk ka të drejtë t’ia humbas qytetarëve të drejtën që të ndjehen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’ju qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore