Lajme

Thirrje për reforma në BE pas arrestimeve në hetimin për korrupsion


Arrestimi i një zëvendës presidenti të Parlamentit Evropian dhe katër të tjerëve të lidhur me një hetim korrupsioni që implikon Katarin mikpritës të Kupës së Botës ndezi thirrjet të shtunën për “reformë rrënjësore” në institucionin e BE-së.

“Ky nuk është një incident i izoluar”, tha grupi i fushatës kundër korrupsionit Transparency International (TI).

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”.

“Gjatë shumë dekadave, Parlamenti ka lejuar të zhvillohet një kulturë e mosndëshkimit, me një kombinim të rregullave dhe kontrolleve të dobëta financiare dhe një mungesë të plotë të mbikëqyrjes së pavarur (ose në të vërtetë të ndonjë) etike”. tha drejtori i TI-së, Michiel van Hulten.

Grupi i të Gjelbërve i Parlamentit Evropian bëri thirrje për një hetim të plotë mbi akuzat për ryshfet nga Katari.

“Ne nuk do të pranojmë biznes si zakonisht…”, postoi grupi në Twitter. “Ne duhet të forcojmë rregullat tona në mënyrë që kjo të mos ndodhë më”.

Parlamenti Evropian ishte “bërë një ligj më vete”, shtoi Van Hulten.

Alberto Alemanno, një profesor i drejtësisë me qendër në Belgjikë, tha se “skandali hap kutitë e shumta të Pandorës menjëherë”.

Kjo, duke përfshirë “sistemin e gabuar të etikës së BE-së për eurodeputetët” dhe “shkallën e ndikimit të huaj mbi BE-në”.

Policia arrestoi eurodeputeten socialiste greke Eva Kaili të premten disa orë pasi katër të tjerë ishin ndaluar për t’u marrë në pyetje.

Të paktën tre ishin ose shtetas italianë ose erdhën me origjinë nga Italia, tha një burim i afërt me rastin për agjencinë franceze “AFP”.

Kaili, 44 vjeç, është partneri i njërit prej të katërve, Francesco Giorgi, një asistent parlamentar me grupin socialistë dhe demokratë të Parlamentit Evropian, tha burimi.

Ish-deputeti italian Pier-Antonio Panzeri, i cili shërbeu si socialist në parlament midis viteve 2004 dhe 2019, thuhet gjithashtu se u arrestua.

Të pesë ishin ende duke u marrë në pyetje të shtunën, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorisë federale të Belgjikës, duke shtuar se hetimi kishte të bënte me dyshimin për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Në Romë, një burim qeveritar konfirmoi për AFP-në raportimet se gruaja dhe vajza e Panzerit ishin arrestuar.

Arrestimet pasuan bastisjet në Bruksel për të cilat prokurorët belgë thanë se gjetën 600 mijë euro në para cash. Policia ka sekuestruar edhe kompjuterë dhe celularë.

E përditshmja belge L’Echo raportoi të shtunën se “disa çanta plot me kartëmonedha (para cash)” ishin gjetur në shtëpinë e Kaili-t në Bruksel.

Ndërsa prokurorët nuk përmendën emrin e vendit nën hetim, një burim ligjor i afërt me çështjen konfirmoi për AFP raportet e shtypit belg se ishte Katari.

Prokurorët thjesht kishin thënë se shteti në fjalë dyshohej se kishte ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian përmes pagesave në para ose dhuratave për figurat kryesore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore