Lajme

“The Guardian” për rastin e Sanduloviç-it: Sulmi ngre pikëpyetje për anëtarësimin e Serbisë në BE


Nikola Sanduloviç

Mediumi prestigjioz britanik “The Guardian”, i ka kushtuar vëmendje rastit të Nikola Sanduloviç-it, ish-kandidati për president të Serbisë, ndaj të cilit u raportua se Agjencia e Sigurimit dhe Inteligjencës Serbe (BIA), ushtroi dhunë brutale.

Në këtë shkrim theksohet versioni i familjes së Sanduloviç-it, të cilët kanë thënë se ai ka mbetur pjesërisht i paralizuar nga sulmi.

“Në një sulm që ka nxitur frikën për të ardhmen e demokracisë në vend, familja e Nikola Sanduloviç thotë se ai u mor nga shtëpia e tij më 3 janar pasi kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1998 dhe 1999”, theksohet aty.

Në këtë shkrim të prestigjiozes britanike paraqitet edhe thirrja e vajzës së Sanduloviç-it, Karlës, e cila kërkoi që babai i saj të transferohej në një spital civil nga objekti ushtarak në Beograd në të cilin po mbahej politikani serb.

“Ai është i komunikueshëm, por është plotësisht i paralizuar në anën e djathtë; në një karrige me rrota dhe në një gjendje shumë të keqe shëndetësore”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar përmes Michael Polak, një avokat në Mbretërinë e Bashkuar.

“Familja beson se Sanduloviç, lideri i partisë Republikane Serbe dhe kritik i rregullt i Partisë Progresive Serbe (SNS), mund të jetë ‘helmuar’. Avokatët kanë thënë se nuk mund të verifikojnë asgjë në lidhje me shëndetin e Sanduloviç-it apo sulmin derisa ta çojnë atë në një objekt civil me qasje të plotë tek mjekët dhe avokatët”, theksohet aty.

Ndërsa, avokati Polak, siç bën me dije “The Guardian”, ka paraqitur një rast urgjent pranë Komitetit të OKB-së Kundër Torturës duke kërkuar zyrtarisht një masë të tillë. Ai ka thënë se Sanduloviç ishte “kapur nga shërbimi i inteligjencës serbe dhe më pas u arrestua dhe u torturua në mënyrë arbitrare”.

Në këtë shkrim theksohet edhe kritikat që i janë bërë në mediat shtetërore serbe Sanduloviç-it pasi ripostoi një video të vitit të kaluar në të cilën ai vizitoi varrin e komandantit legjendar Adem Jasharit.

Sanduloviç kishte kërkuar falje për krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë.

Komentet e tij, pohohet në shkrimin e “The Guardian”, “besohet të jenë arsyeja e sulmit”.

“Ai ishte rrahur keq. Ai ka një brinjë të thyer. Kur u kthye në shtëpi hynte dhe dilte nga vetëdija dhe ankohej se nuk mund të lëvizte anën e djathtë të trupit”, ka thënë Polak.

Ndaj politikanit opozitar serb, gjykata në Serbi ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim për 30 ditë pasi u akuzua, në mungesë, për gjoja nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Mirëpo, avokati britanik Polak, siç shkruan britanikja, thotë se akuza është një shkelje e qartë e konventës evropiane mbi të drejtat e njeriut që mbron fjalën politike.

“Sulmi do të ngrejë pyetje të reja në lidhje me synimin e deklaruar të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në dhe do të nxisë frikën për marrëdhëniet e saj me vendet fqinje, përfshirë Kosovën. Ai vjen mes akuzave se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar në favor të SNS të presidentit Aleksandër Vuçiç, një akuzë që Vuçiç e mohon”, shkruan ndër të tjera “The Guardian”.

Duke pranuar febrilitetin politik të Serbisë, Polak megjithatë i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të dënojë sulmin ndaj klientit të tij.

“Fjala politike të jetë shumë e mbrojtur. Pa asnjë lejim për fjalë politike ju dëmtoni funksionimin e demokracisë. Mendoj se është një rast shumë i rëndësishëm për të gjithë popullin serb, pavarësisht nëse pajtohen me gjestin e Sanduloviç-it apo jo”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore