Shqipëria

Thashethemet, fjalët e pathemelta


“Paragjykimet sapo futa këmbën në atë institucion: Kaq e re?! Si ka mundësi? Mikun të fortë e paske pasur?! Kush është ky mik? etj., më kanë përndjekur gjatë eksperiencës sime gjashtëmujore tek një institucion privat në kryeqytet”.

Vajza nga Tirana, për Albanian Post (AP) rrëfen gjithë “makthin” që përjetoi pranë një institucioni privat.

Për AP-në, ajo (kërkoi t’i ruhej anonimati) ka treguar gjithçka iu desh të përballej.

“Isha shumë e re kur fillova punë, 23 vjeçe. Më herët kisha punuar si shitëse. Rastësisht, një i afërm i imi më ndihmoi, duke më orientuar për një vend pune tek një institucion në Tiranë. Pas provës tremujore, u pranova dhe lidha kontratë”.

Sot, 26 vjeçe, ajo thotë sesa e vështirë ishte për atë të punonte atje.

“Presioni psikologjik ishte i madh. Gjatë gjithë kohës dëgjoja të flitej për mua. Aludohej sikur kisha marrëdhënie intime me shefin e grupit, të cilin e kisha njohur vetëm në çastin kur u punësova”.

Thashethemet në vendin e punës, nga ekspertë të ndryshëm, trajtohen si dukuri negative. Sipas tyre,  ndikojnë negativisht në ambientin e punës, duke ftohur raportet ndërmjet kolegëve.

“Të paragjykosh, të thurësh intriga, të përflasësh kolegët e tu të punës është kthyer në një zakon të shfrenuar në mjediset e përditshme të punës”, thonë studiuesit.

Duke marrë shkas nga kjo, e reja tha se, ndonëse nuk reagoi rreth fjalëve që “kaluan cakun”, kërkoi dorëheqjen.

Aty duhet të shkruante gjithë arsyet që e kishin çuar në marrjen e vendimit për t’u larguar nga puna. “E detyruar” iu desh të shpjegonte shumëçka kishte ndodhur.

Pas kësaj drejtoresha, thotë ajo, u tregua e mirëkuptueshme. Nuk e pranoi dorëheqjen, duke e transferuar te një zyrë tjetër jashtë atij institucioni.

Sot, pas rreth katër viteve, vajza vazhdon të punojë atje.

Çfarë thonë psikologët?

Sipas psikologes shqiptare, Denada Vozga, e pyetur se a janë pozitive dhe si ndikojnë në klimën e punës, për AP-në shpjegon se “janë të dëmshme për imazhin e personit dhe patjetër që ndikojnë edhe në punën e individit.

Mendimi personal, fatkeqësisht ose fatmirësisht, ndikon në gjykimin e punës sonë dhe për punën tonë. Thashethemet janë negative. Unë do ta përktheja ‘bullizëm për të rritur’”.

Sipas Vozgës, konkludohet se të dyja gjinitë janë të prira të bëjnë thashetheme. Për AP-në, thotë se kryesisht njerëzit e pakënaqur nga puna, pagesa, kushtet dhe ata që janë të pamotivuar merren me thashetheme.

Në një studim të vitit 2019, nga Office Pulse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se tre të katërtat e punonjësve kanë pranuar se bëjnë thashetheme rreth problemeve në vendin e punës apo për kolegët ndërkohë që ishin në zyrë.

Mesatarisht, punonjësit amerikanë shpenzonin 40 minuta në javë duke bërë thashetheme.

Më shumë se gjysma e meshkujve, rreth 55%, pranonin se bënin thashetheme dhe, nga ana tjetër, katër në pesë femra deklaruan se bënin thashetheme në zyrë, rreth 79%.

Më shumë se një e katërta (29%) deklaruan që thashethemet në zyrë janë “burimi i tyre kryesor i informacionit” mbi lajmet në vendin e punës.

Mbi 90% e punonjësve të intervistuar në SHBA dhe vendet e Evropës Perëndimore, pranuan se kishin bërë thashetheme në ambientet e punës.

Sipas psikologes shqiptare Vozgës, thashethemet lidhen dhe me pozicionin e punës.

Ajo thotë se “aty ku ka më shumë kohë e më pak punë, ka dhe më shumë thashetheme”. Faktorët që ndikojnë në bërjen e thashethemeve, janë “arsimi dhe niveli ekonomik”, sqaron ajo.

Zgjidhja e studiuesve sesi t’u bëhet ballë thashethemeve, është të largoheni me elegancë.

Sipas tyre, dërgoni një mesazh, jokonfliktual, që ju nuk e toleroni këtë sjellje në një mjedis profesional.

Thashethemet nuk janë domosdoshmërisht një gjë e keqe; kjo varet nga konteksti.

Thashethemet kanë tendencë të jenë neutrale, sesa pozitive ose negative dhe në lidhje me informacionin shoqëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore