Lajme

Tesla tërheq 6 mijë automjete, problem bulonash


Kompania amerikane e automjeteve, Tesla, po tërheq afro gjashtë mijë automjete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi bulonat e kalibrit të frenave mund të jenë të lirshme.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në bazë të dokumenteve të bëra publike, ky problem ka potencialin për të shkaktuar një humbje të presionit të gomave.

Pjesë e tërheqjes janë makinat Model 3 të prodhuara nga viti 2019 deri në 2021-shin dhe Model Y nga 2020-a deri në 2021-shin.

Në një paraqitje të saj pranë Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut të Autostradave (NHTSA) nuk kishte raporte të përplasjeve lidhur me çështjen dhe se Tesla do të inspektojë, shtrëngojë ose zëvendësojë bulonat e kalibrit në bazë të nevojës.

Sipas kompanisë, lirimi i bulonave mund të lejonte që kalibri i frenave të ndahet dhe të bjerë në kontakt me skajin e gomës çka mund të shkaktojë një humbje të presionit të gomave në “rrethana shumë të rralla”.

Gjithashtu kompania ka shtuar se në “ngjarje që vështirë se ndodhin” ku mund të ketë dëmtime të automjeteve nga një fiksues i lirë ose i zhdukur, do të mundësohet një rregullim përmes një tërheqjeje në pikën më të afërt të shërbimit për riparim.

NHTSA-ja ka thënë se në muajin dhjetor kompania e automjeteve elektrike u bë e vetëdijshme për një incident në terren që përfshinte një automjet Model Y të vitit 2021. Ai kishte mangësi në fiksimin e kalibrit të frenave të pasme në anën e shoferit.

Dhe që asokohe, Tesla ka ndërmarrë masa për të parandaluar lirimin e bulonave në procesin e montimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore