Lajme

“Terr në Serbi, pa media të lira”, N1 dhe Nova ndërpresin transmetimin


Televizionet “N1” dhe “Nova S” në Serbi nuk kanë transmetuar programin e rregullt që nga mëngjesi i së martës, shkruan N1.

Dy mediumet kanë dhënë mesazhin “Terr në Serbi, pa media të lira”, në një prapavijë me ngjyrë të zezë.

Por, nuk kanë dhënë më tepër detaje për këtë veprim.

Këto dy televizionet operojnë si pjesë e kompanisë mediatike United Media.

Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2021, Serbia renditet e 93-ta në rang botëror.

Mediat në Serbi nën putrat e pushtetit

Sipas këtij raporti, Serbia nuk ka lëvizur nga kjo pozitë as në vitin 2021.

Përqendrimi i audiencës në disa media, të afërta me pushtetin, përfshi edhe Radio Televizionin e Serbisë që shihet si një zgjatim i pushtetit sipas raportit paraqet “një rrezik të lartë për pluralizmin e mediave në vend”.

Në hulumtim po ashtu thuhet se është një nivel shumë i lartë i përqendrimit ndër-mediatik të sektorëve audio-vizualë, të shtypur dhe në internet.

Shteti ka një ndikim të fort në media. Tregu i mediave serbe është mjaft i vogël dhe i mbingopur me media që punojnë nën presion të lartë e të ashpër ekonomik.

Janë dy media të cilat thithin shumicën e buxhetit të dedikuar nga shteti për media. Është RTS që ka një shtrirje në nivel kombëtarë dhe RTV me shtrirje në nivel rajonal.

Mungesa e një kapitali apo financimi të vazhdueshëm ka bërë që shteti serb të ketë një ndikim të lartë në media.

Kontrolli i mediave nga pushteti bëhet kryesisht nëpërmjet formave të ndryshme të financimit që bëhen nga ana e shtetit por edhe nëpërmjet pronësisë.

“Fondet publike shpërndahen në mënyrë arbitrare dhe në një mënyrë jo transparente, zakonisht në favor të mediave pro-qeveritare, pa kritere të qarta dhe të matshme, kontroll dhe vlerësim publik”, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore