Lajme

Tentuan të kalonin në Spanjë- shkon në 23 numri i personave të vdekur


Numri i të vdekurve nga përpjekja masive për të kaluar nga Maroku në enklavën Melilla të Spanjës ka shkuar në 23.

Kjo sipas televizionit shtetëror maroken.

Rreth 2 mijë njerëz iu afruan Melilla-s në agimim e së premtes dhe më shumë se 500 arritën të hyjnë në një zonë të kontrollit kufitar pasi prenë një gardh me gërshërë.

Zyrtarët marokenë thanë se 13 persona kishin vdekur nga plagët e marra në inkursion, përveç pesë të tjerëve u konfirmuan të vdekur më herët gjatë ditës.

Të shtunën mbrëma, numri u rrit në 23 pas pesë vdekjeve të tjera.

“Disa ranë nga maja e pengesës që ndan të dy palët”, tha një zyrtar maroken, duke shtuar se 140 personel sigurie dhe 76 migrantë u plagosën gjatë përpjekjes për të kaluar.

Ky ishte inkursioni i parë i tillë masiv që kur Spanja dhe Maroku rregulluan marrëdhëniet diplomatike muajin e kaluar.

Delegacioni lokal i Qeverisë spanjolle tha vetëm se 49 policë spanjollë u plagosën lehtë.

Maroku kishte vendosur një numër “të madh” forcash në përpjekje për të zmbrapsur sulmin në kufi dhe ata “bashkëpunuan në mënyrë aktive” me forcat e sigurisë të Spanjës.

Imazhet në mediat spanjolle treguan njerëz të shtrirë në trotuar, disa me duar të gjakosura dhe rroba të grisura.

Duke folur në Bruksel, kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, dënoi “sulmin e dhunshëm”, për të cilin ai fajësoi “mafiozët që trafikojnë qenie njerëzore”.

Melilla dhe Ceuta, enklava tjetër e vogël afrikano-veriore e Spanjës, kanë kufijtë e vetëm tokësorë të BE-së me Afrikën, duke i bërë ato një magnet për migrantët dhe refugjatët.

Kriza diplomatike

Në mars të këtij viti, Spanja i dha fund një krize diplomatike njëvjeçare duke mbështetur planin e autonomisë së Marokut për Saharanë Perëndimore.

Sánchez më pas vizitoi Rabatin dhe të dy Qeveritë përshëndetën një “fazë të re” në marrëdhënie.

‘Sherri’ filloi kur Madridi lejoi Brahim Ghalin, udhëheqësin e Frontit Polisario pro-pavarësisë së Saharasë Perëndimore, të trajtohej për COVID-19 në një spital spanjoll në prill 2021.

Një muaj më vonë, rreth 10 mijë njerëz kaluan kufirin maroken në Ceuta, ndërsa rojet kufitare shikonin nga ana tjetër, në atë që u pa gjerësisht si një gjest ndëshkues nga Rabati zyrtar.

Ky i fundit bën thirrje që Saharaja Perëndimore të ketë një status autonom nën sovranitetin maroken, por Polisario dëshiron një referendum të mbikëqyrur nga OKB-ja për vetëvendosjen, siç është rënë dakord në një marrëveshje armëpushimi të vitit 1991.

Sánchez në fillim të këtij muaji paralajmëroi se “Spanja nuk do të tolerojë asnjë përdorim të tragjedisë së imigracionit të paligjshëm si një mjet presioni”.

Spanja do të kërkojë që “emigracioni i parregullt” të renditet si një nga kërcënimet e sigurisë në krahun jugor të NATO-s kur aleanca të mblidhet për një samit në Madrid më 29 dhe 30 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore