Shqipëria

Të penduarit e drejtësisë kanë rëndësi të jashtëzakonshme, por në Shqipëri rrjedh informacioni


Rrëfimet e tyre kanë çuar në burg persona që konsideroheshin të paprekshëm. Kanë zbuluar krime të rënda dhe kanë zbërthyer grupe kriminale.

Bëhet fjalë për të penduarit e drejtësisë. Dhe për to ka dhe një historik.

Modelin e parë e solli Italia e pastaj shumë vende evropiane e “kopjuan”. Zinxhirit “nuk i shpëtoi” as Shqipëria.

Historia e bashkëpunëtorëve të drejtësisë në vendin tonë që u kthyen në “të penduar” ka nisur me Petrit Liçin, anëtar i bandës së Lushnjës. Rrëfimi i tij çoi pas hekurave me dënime të rënda bashkëpunëtorët e bandës, ndërsa ai vetë u dënua me 7 vjet burg.

Saga vijoi gjatë viteve me disa emra të tjerë të njohur për drejtësinë. Dhe, i fundit ku dëshmia e tij çoi në zbardhjen e ngjarjeve kriminale, përfshirë 6 vrasje ishte Artan Tafani.

Lidhur me këtë temë të nxehtë Albanian Post ka komunikuar me ekspertin e kriminalistikës, Ervin Karamuço.

“Ne kemi filluar të zbatojmë shkollën italiane jo vetëm si teori, por edhe eksperiencë duke filluar që nga i penduari më i madh i shekullit të kaluar që është Tommaso Buscetta me maksi procesin në Sicili ku u dënuan më shumë se 330 mafiozë”, tha Karamuço.

Ky i fundit vijoi se organet tona ligjzbatuese kanë pasur trajnime të vazhdueshme në lidhje me të penduarit, me taktikat se si ata thyhen, se si mund të japin informacione dhe se sa garanci ju krijon shteti atyre për të qenë të mbrojtur dhe për të qenë palë në proces.

Ervin Karamuço, ekspert i kriminalistikës

Karamuço rrëfen mënyrën se si një i penduar mund të marrë këtë status dhe çfarë impakti ka.

“Në këtë rast ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi nëse përputhen thëniet e tij me ato se çfarë ka ndodhur dhe që nuk dihen botërisht, pra janë të përvetshme, eksplicite, janë detaje, atëherë me të krijuar besueshmërinë, ai bëhet njeriu më i rëndësishëm i procesit”.

Pra, e gjitha qëndron te besueshmëria dhe përputhshmëria e atyre që thotë në çdo detaj dhe këto parashikon ligji.

Sa i përket shërbimeve që ofrohen, eksperti bën me dije se ka një Drejtori që merret me këtë pjesë.

“Kemi raste që disa prej bashkëpunëtorëve që kanë dhënë informacione i kemi jashtë vendit në bashkëpunim me vendet e tjera partnere. Janë të fshehur atje”.

Ama në gjithë këtë proces në Shqipëri ekziston një problem. Rrjedhja e informacionit.

“Në rast të rrjedhjes së informacioneve që jepte Nuredin Dumani (një nga të penduarit) ne patëm disa vrasje atë kohë që nuk mori asnjë përgjegjësinë se pse ndodhën. Dhe ato ndodhën për një arsye: Rrodhi informacioni dhe njerëzit filluan të vrisnin grupet rivale, ata që nuk i dinin nëse kishin qenë në një ngjarje apo jo, pra për hakmarrje, ose dëshmitarë dhe persona të tjerë të lidhur me ngjarjen që deklaronte Dumani”.

Karamuço heq një paralele me rastin e Buscetta-s i lidhur me Cosa Nostra-n. Lidhur me këtë, informacioni është marrë vesh vetëm pas gjyqit.

Përndryshe në Shqipëri, “sapo flet i penduari ne menjëherë e marrim vesh”.

“Kjo nuk i shërben shtetit ligjor, as sigurisë së qytetarëve, por i shërben bandave kriminale që të fshihen sa më shpejt të marrin masat që të mos kapen, mos provohet asgjë nga dëshmitë”.

Po të flasim për historikun, koncepti i bashkëpunëtorëve dhe dëshmitarëve të drejtësisë është futur në vendin tonë në vitin 2004.

Vit pas viti janë bërë ndryshime ligjore, akte, shtesa dhe udhëzime, derisa u arrit në miratimin e një ligji që është në fuqi edhe sot.

Tashmë, që prej vitit 2009, drejtësia shqiptare përdor dëshmitarë, apo autorë të penduar për zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale.

Ligji 10173 i dekretuar në datë 22 tetor të vitit 2009 nga ish-presidenti Bamir Topi “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, në 31 nenet e tij ka të specifikuar deri në detaje përfitimet e dikujt që përfiton statusin e të penduarit.

Këta të fundit janë mekanizëm ligjor, për t’u dhënë një dorë organeve të drejtësisë. Dhe në këtë rast, ndihma ka kosto. “Pagesa” mbulohet nga shteti….

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore