Lajme

Tani dihet sa vjeç është Dielli dhe se kur do të “vdesë”


Astronomët disponojnë të dhëna të reja për t’i dhënë përgjigje pyetjes se kur do të marrë fund Dielli.

E gjitha falë misionit Gaia të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe informacionit të ri të mbledhur.

Gaia është një anije kozmike e lëshuar nga ESA në vitin 2013 për një mision që duhet të vazhdojë deri në vitin 2025.

Objektivi i saj kryesor është të mbledhë të dhëna për yjet e galaktikës sonë nga matja e pozicionit të tyre deri te distanca në lëvizjen e tyre.

Duke krahasuar dhe studiuar këto të dhëna – veçanërisht ato që lidhen me lëshimin e tretë të rëndësishëm të 13 qershorit – ishte e mundur të zbulohej më shumë për Diellin.

Teksa masa e yjeve ndryshon relativisht pak gjatë ciklit së tyre, temperatura dhe madhësia ndryshojnë shumë me kalimin e viteve. Këto ndryshime përcaktohen nga lloji i reaksioneve të shkrirjes bërthamore që ndodhin brenda yllit.

Për të lidhur vetitë e qindra yjeve që jemi në gjendje të vëzhgojmë, ekziston një diagram – i njohur si diagrami Hertzsprung-Russell – i krijuar në fillim të shekullit të XX-të nga dy astronomët Ejnar Hertzsprung dhe Henry Norris Russell.

Ai kap shkëlqimin e brendshëm të një ylli me temperaturën e sipërfaqes së tij dhe për këtë arsye është i aftë të zbulojë si evoluojnë yjet gjatë cikleve të tyre të gjata të jetës.

Dielli është 4.57 miliardë vjet i vjetër.

Është në një “moshë të mesme, duke shkrirë hidrogjenin në helium dhe në përgjithësi është në një situatë mjaft të qëndrueshme, madje edhe të palëvizshme”, sipas ESA-s.

Kur hidrogjeni të mbarojë në bërthamë, ndryshimet në proceset e shkrirjes do të fillojnë dhe ylli do të kthehet në një gjigant të kuq, duke shkuar drejt “vdekjes”.

Por për të ditur se kur do të ndodhë kjo, nevojitet informacion mbi masën dhe përbërjen kimike. Këtu hyjnë në lojë të dhënat e Gaia dhe diagrami HR.

Analiza është bërë nga Orlagh Creevey , i Observatorit Côte d’Azur dhe nga bashkëpunëtorët e Njësisë Koordinuese 8 të Gaias.

Këta të fundit përdorën kryesisht të dhëna në lidhje me yjet me temperatura sipërfaqësore midis tre mijë dhe dhjetë mijë Kelvin pasi kanë jetën më të gjatë dhe mund të zbulojnë më shumë informacion mbi historinë e Rrugës së Qumështit.

Po ashtu u fokusuan në trupat qiellorë me të njëjtën masë dhe përbërje kimike si Dielli dhe arritën të vizatojnë një vijë në diagramin HR që përfaqëson evolucionin e tij nga e kaluara në të ardhmen.

Dielli do të arrijë temperaturën e tij maksimale kur të arrijë rreth tetë miliardë vjet.

Pastaj do të ftohet dhe do të bëhet një yll gjigant i kuq, që do të ndodhë rreth dhjetë deri në 11 miliardë vjetëve të tij.

Dhe në fund do të “vdesë”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore