Lajme

Tahiri: Ballkani i Hapur është mashtrim, Vuçiçi do “Serbinë e Madhe”


Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë në T7 se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes iniciativës Ballkani i Hapur po synon ta krijojë “Serbinë e Madhe”.

“Vuçiç po shkon në Tiranë e po takohet me Ramë,  po buzëqesh duke e ndryshuar imazhin e tij ndërkohë që Ballkani po dridhet”, tha Tahiri.

“Serbia po kërkon të krijojë Serbinë e Madhe. E shohim tentimin për destabilizim serioz të Bosnje e Hercegovinës”, thotë ajo.

Ndërkaq më 21 dhjetor në Tiranë është mbajtur takimi i Ballkanit të Hapur me nënshkrimin e 5 marrëveshjeve mes tri vendeve të kësaj nisme, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Tre liderët nismëtarë të “Open Balkan” kanë ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që të bëhen pjesë.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen e samitit të radhës, në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”, i cili u zhvillua në Tiranë, ka nënvizuar sërish pikëpamjen e tij se iniciativa është në fakt organi që mundëson zhvillimin e Procesit të Berlinit.

Sipas Ramës, ky takim është një hap shumë i rëndësishëm për marrëveshjen. Gjithsesi, nuk duhen rreshtur përpjekjet për të nxitur tre vendet e tjera të rajonit, t’u bashkohen Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore