Lajme

Szunyog viziton veriun: Situata është komplekse, paqja e brishtë duhet të zëvendësohet me siguri


Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, përmes një cicërime në llogarinë zyrtare në Twitter, njoftoi se të enjten ka vizituar Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Ai njoftoi se gjatë vizitës së tij në këtë pjesë, ka pasur takime me përfaqësues shqiptarë e serbë, me zyrtarë që kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës gjatë vitit të kaluar, por edhe ata që janë në detyrë.

“Derisa situata në veri është komplekse është e qartë për të gjithë se marrëveshjet aktuale nuk janë të qëndrueshme dhe se paqja e brishtë duhet të zëvendësohet me siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet që jetojnë këtu”.

“Edhe pse shumë çështje ende duhet të zgjidhen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, këto mund të adresohen vetëm nga institucionet dhe nga brenda institucioneve. Pres me padurim angazhimin e mëtejshëm me të gjitha komunitetet që jetojnë në veri dhe investimet e vazhdueshme të BE-së”, shtoi ai.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, sipas Josep Borrell-it, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së” dhe për të gjitha ato që u pajtuan të dy liderët do të ketë nevojë për një takim të ri që do të mbahet me 18 mars në Shkup.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore