Kosova

Sveçla, Admiralit Munsch: Sulmi terrorist i 24 shtatorit u financua nga Serbia


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admiralin Stuart B. Munsch me të cilin ka biseduar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“E falënderova për mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve veçanërisht pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur logjistikisht dhe financiarisht nga Serbia ndaj Kosovës më 24 shtator”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Po ashtu kreu i MPB-së ka treguar se e ka njoftuar Admiralin Munsch që institucionet e sigurisë janë duke punuar intenzivisht në analizimin e të gjitha provave të sulmit terrorist, të cilat deri më tash dëshmojnë qartë “për përfshirjen e Serbisë dhe autoriteteve të saj në organizimin operacional të këtij sulmi”.

“Republika e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor duke qenë thellësisht me vlerat perëndimore. Bashkëpunimi mes institucioneve tona të sigurisë, NATO-s dhe partnerëve tanë është i ngushtë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë gjithmonë”, shtoi ai.

Gjatë së hënës Admirali Munsch është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari,

“Ata shprehën falënderim për mbështetjen e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pas agresionit dhe sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator”, thuhet në njoftim.

Ministri Maqedonci theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për paqe dhe stabilitet si dhe vendosmërinë e palëkundur në rrugën tonë euroatlantike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore