Lajme

Supremja ia konfirmon burgimin e përjetshëm ish-policit Spahiu që vrau të riun në kazino


Shefki Spahiut, ish-policit të Kosovës, i është konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata Supreme për vrasjen e të riut Jetmir Aliajt, në një kazino në Suharekë, më 17 mars 2019.

Gjykata e Apelit ia kishte refuzuar ankesën e mbrojtës të të pandehurit Spahiu, dhe lënda kishte kaluar në Gjykatën Supreme. Por këtë edhe Supremja e hodhi poshtë si të pabazë

Me 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me justifikimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në një kazino në Suharekë,e kishte privuar nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, Spahiu kishte shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, dhe në mënyrë dinake me pistoletën e markës Glock, në një distancë prej një metre, i kishte shtënë në pjesën ballore të kokës, kështu duke e privuar nga jeta.

Supremja ka bërë të ditur se në seancën publike, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i pandehuri Shefki Spahiu, avokati i tij E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati A.R., të dëmtuarit H.A., dhe A.A.

Shefki Spahiu, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim me prova”, për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Aliaj nga fshati Mushtisht i Suharekës, në vendin e tij të punës, në marsin e vitit 2019.

Disa ditë pas kësaj vrasje, Qeveria e Kosovës kishte urdhëruar mbylljen e të gjitha kazinove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore