Lajme

“Suedia dhe Finlanda duhet të ndryshojnë ligjet për t’u bashkuar me NATO-n”, thotë Cavusoglu


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka deklaruar se Finlanda dhe Suedia duhet të ndryshojnë ligjet e tyre, nëse duan të fitojnë mbështetjen e Ankarasë për t’u bashkuar me NATO-n, në të kundërt do të vendosin veton ndaj tyre.

Ky objektiv i dy shteteve vjen pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Të martën e 31 majit, Cavusoglu theksoi se Turqia, një anëtare e NATO-s për shtatë dekada, nuk do të heqë kundërshtimin e saj ndaj aderimit të dy vendeve nordike nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, duke u bërë kështu jehonë komenteve të fundit nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan.

Ankaraja i ka akuzuar të dy vendet se strehojnë njerëz, të cilët kanë lidhje me grupet që ajo i konsideron si “terroristë”, duke përfshirë edhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Po ashtu, ka hedhur poshtë vendimet e tyre për të ndaluar eksportet e armëve në Turqi në vitin 2019.

Ajo ka kërkuar që ata të ndalojnë mbështetjen e tyre për PKK-në dhe grupet e tjera, t’i ndalojnë ata nga organizimi i çdo ngjarjeje në territorin e tyre, të ekstradojnë ata që kërkohen nga Turqia me akuza “terrorizmi”, të mbështesin operacionet ushtarake dhe “kundër terrorizmit” të Turqisë, si dhe të heqin të gjitha eksportet e armëve.

Nga ana e tyre, Finlanda dhe Suedia kanë kërkuar të negociojnë për një zgjidhje.

Ndërkohë, vendet e tjera anëtare të NATO-s janë shprehur se mbeten të bindur se kundërshtimet e ngritura nga Turqia – e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës transatlantike – mund të kapërcehen.

Të 30 aleatët e NATO-s duhet të miratojnë njëzëri çdo zgjerim të organit të sigurisë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Suedia dhe Finlanda “duhet të ndryshojnë ligjin”

Ndër të tjera, Cavusoglu shpjegoi se Turqia u kishte dhënë delegacioneve vizitore finlandeze dhe suedeze dokumente, ku përshkruan kërkesat e saj gjatë bisedimeve në Ankara javën e kaluar.

Ai ravijëzoi se janë në pritje të përgjigjes së tyre, teksa theksoi se pret që aleatët të punojnë për të adresuar shqetësimet e sigurisë.

“A janë të pamundura kërkesat tona? Jo. Ne duam që ata të ndalojnë mbështetjen e tyre për terrorin”, tha Cavusoglu për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve “Anadolu”, përcjell Albanian Post.

Sipas tij, Ankaraja ishte e vetëdijshme se disa nga kërkesat e saj do të kërkonin ndryshimin e ligjeve.

Shtetet nordike kanë thënë se dënojnë “terrorizmin” dhe se janë të hapura për dialog.

Cavusoglu tha gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po punonte për këtë çështje dhe kishte propozuar mbajtjen e bisedimeve në Bruksel me të tre vendet, por tha se qeveria e Turqisë nuk shihte asnjë kuptim në ndonjë diskutim të tillë përpara se Stokholmi dhe Helsinki t’u përgjigjeshin kërkesave të saj me shkrim.

“Duhet të ketë gjëra konkrete që ne të diskutojmë”, tha ai.

Ofertat e anëtarësimit për të dominuar samitin e Madridit

Më herët, drejtori i komunikimit i Erdoganit, Fahrettin Altun, në një deklaratë për gazetën më të madhe të përditshme finlandeze “Helsingin Sanomat” tha se vendi duhet t’i marrë seriozisht shqetësimet e Turqisë.

“Përfundimisht qeveria e Finlandës duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme – të bashkohet me NATO-n apo të mbrojë këto lloj organizatash”, tha ai, duke iu referuar PKK-së dhe grupeve të tjera që Ankaraja i konsideron “terroristë”.

Vërejtjet e Altun erdhën, pasi Stoltenberg të hënën tha se samiti i ardhshëm i aleancës në Madrid do të jetë një mundësi “historike” për të forcuar aleancën përballë agresionit rus kundër Ukrainës.

Ai shtoi se samiti i 28-30 qershorit, i cili do të mbizotërohet nga ofertat e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, do të ripërcaktojë prioritetet strategjike të NATO-s për dekadën e ardhshme.

Këto përfshijnë përballjen me ambiciet gjeopolitike kineze dhe ngritjen e shteteve antidemokratike, por fokusi më i menjëhershëm i aleancës do të jetë se si të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe të mbajë nën kontroll presidentin rus Vladimir Putin.

“Në samitin e Madridit, ne do të përcaktojmë rrugën përpara për dekadën e ardhshme, do të rivendosim parandalimin dhe mbrojtjen tonë për një botë më të rrezikshme”, tha Stoltenberg gjatë një vizite në kryeqytetin spanjoll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore