Teknologji

Studiuesit e Harvard-it krijojnë një mjet të ri për modifikimin e gjeneve


Në Institutin Wyes të Harvard-it për Inxhinierinë e Frymëzuar Biologjikisht, studiuesit kanë arritur të krijojnë një mjet të ri për modifikimin e gjeneve që mund t’u mundësojë shkencëtarëve të realizojnë njëkohësisht miliona eksperimente gjenetike.

Engadget, faqe dedikuar të rejave teknologjike, tregon se studiuesit e kanë quajtur teknikën Retron Library Recombineering (RLR).

Teknika përdor segmente të ADN-në bakteriale të quajtura retrone, të cilat mund të prodhojnë fragmente të ADN-së me një fillesë.

Kohëve të fundit, CRISPR-Cas9 është konsideruar teknika më e njohur për modifikimin e gjeneve duke iu dhënë shkencëtarëve mjetin që u nevojitet për të qenë në gjendje të ndryshojnë me lehtësi sekuencat e ADN-së.

Ajo ka rezultuar të jetë shumë më e saktë se teknikat e përdorura më parë dhe disponon një larmi të gjerë të aplikacioneve të mundshme duke përfshirë trajtime që shpëtojnë jetën për sëmundje të ndryshme.

Mirëpo, CRISPR-Cas9 ka edhe disa kufizime kryesore. Kjo pasi mund të jetë e vështirë të dorëzohen materialet e tij në një numër të madh çka mbetet një problem jo i vogël për studime dhe eksperimente.

Problem është edhe mënyra se si teknika funksionon. Ajo mund të jetë toksike për qelizat sepse enzima Cas9 – gërshetimi molekular i ngarkuar me prerjen e fijeve të ADN-së – shpesh pret vende jo të synuara.

Gjatë procesit të riparimit, CRISPR-Cas9 shkurton ADN-në fizikisht për të përfshirë sekuencën mutante në gjenomin e saj. Ndërkohë që retronët mund të fusin fillesën e një ADN-je mutante në një qelizë replikuese në mënyrë që ajo të mund të përfshihet në ADN-në e qelizave bijë.

Engadget tregon se më tej sekuencat e retronëve mund të shërbejnë si “barkode” apo “etiketa emri” duke lejuar shkencëtarët të gjurmojnë njësi të veçanta në një grup bakteresh.

Në terma të tjerë, kjo mundëson që ato mund të përdoren për modifikimin e gjeneve pa dëmtuar ADN-në mëmë dhe gjithashtu mund të përdoren për të kryer eksperimente të shumta në një përzierje të madhe.

Prandaj dhe studiuesit e institutit të Harvard-it testuan RLR-në në bakteret E. coli dhe zbuluan se 90 për qind e popullatës përfshinte sekuencën retron pasi bënë disa ndryshime. Gjithashtu ishin në gjendje të provonin se sa e dobishme mund të jetë kjo në eksperimentet gjenetike masive.

Në testimet e kryera, ata mundën të gjenin mutacione të rezistencës ndaj antibiotikëve në E. Coli duke ndarë në sekuenca barkodet e retronëve në vend që të rendisnin mutantët individualë çka e bënte procesin shumë më të shpejtë.

Max Schubert, bashkautori i studimit, ka shpjeguar se “RLR-ja na mundësoi të bënim diçka që është e pamundur të bëhet me CRISPR”.

Ai vazhdoi se “ne copëtuam në mënyrë rastësore një gjenom bakterial, i kthyem ato në fragmente gjenetike në ADN dhe i përdorëm për të shfaqur miliona sekuenca njëkohësisht”.

Sipas Schubert, kjo e bën RLR-në një mjet më të thjeshtë dhe më fleksibël për modifikimin e gjeneve, të cilat mund të përdoren për eksperimente të shumta duke eliminuar toksicitetin e CRISPR-së dhe duke përmirësuar aftësinë e studiuesve për të eksploruar mutacione në nivelin e gjenomit.

Para se RLR-ja të përdoret gjerësisht ka ende punë për t’u bërë duke përfshirë përmirësimin dhe standardizimin e shkallës së modifikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore