Kosova

Studiuesi britanik: Amerikanët e kanë futur Kurtin në kurth, duan ta nxjerrin Serbinë konstruktive


Ilustrim/Albin Kurti dhe Aidan Hehir

Ligjëruesi dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale në Universitetin e Westminster në Britaninë e Madhe, Aidan Hehir, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mundohen ta fusin në “kurth” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Hehir, teksa ka rishpërndarë një cicërimë të ekspertit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Toby Vogel, ku kritikoi qasjen ambasadorit të SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, tha se në këtë rast, SHBA-të po mundohen ta paraqesin Kosovën si palë penguese, kurse Serbinë si palë konstruktive.

“Unë mendoj se është një kurth; ata e dinë se Kurti/Kosova nuk mund ta pranojë ASM-në dhe për këtë arsye ata po fokusohen në të pasi ajo ofron mjetet me të cilat mund ta paraqesin Kosovën si ‘penguese’ dhe Serbinë si ‘të arsyeshme’ dhe prandaj meriton integrimin në Perëndim pa e ndryshuar qëndrimin për Kosovën”, shkroi Hehir.

Ndryshe, eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, Toby Vogel, reagoi të martën ndaj ambasadorit të SHBA-ve në Beograd, Christopher Hill, i cili tha se nuk do të dorëzohen deri sa të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vogel nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në rrjetin socal “Twitter”, sfidoi ambasadorin amerikan duke e pyetur se pse nuk po i përmend detyrimet që ka ndërmarrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por vetëm ato të Kosovës.

“Pse ambasadori i SHBA-ve në Serbi vazhdon të theksojë detyrimet e Kosovës sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo të Serbisë?”, ishte kjo pyetja që e shtroi Vogel pas deklaratës së Hill-it, i cili këtë deklaratë e bëri pak para shënimit të përvjetorit të 10-të të Marrëveshjes së Bruselit.

“Këtë javë bëhen 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe është koha që të formohet Asociacioni. Ajo se çfarë mund t’ju garantoj është që nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë”, u ka thënë Hill gazetarëve të martën.

Marrëveshja e Ohrit, ndër të tjera, kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizohet statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore