Lajme

“Statuja e Millosheviç-it në Moskë”, gazeta gjermane: Çmenduri – po ngritet statujë për një kriminel lufte


Statuja e Sllobodan Millosheviç

Një statujë e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë dhe të akuzuarit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Jugosllavi (ICTY), Sllobodan Millosheviç, do të ngrihet në qendër të Moskës, përkatësisht në “Sheshin e Evropës”, në mes të muaj qershor të këtij viti.

“Plan i çmendur: Moska dëshiron të ngrisë statujë për një kriminel lufte”, shkruan tabloidi gjerman “Berliner Kurier“, teksa kujtoi për lexuesit gjermanë se Millosheviç ishte përgjegjës për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.

“Ai vrau dhjetëra mijëra njerëz, por për disa serbë ai është hero. Ai ishte përgjegjës për dhjetëra krime lufte nga trupat serbe. Natyrisht, kjo është një arsye e mirë që Rusia t’i ngrejë një monument diktatorit të ndjerë në Moskë. Thuhet se ka luftëtar kundër NATO-s”, shkruan tutje “Berliner Kurier”.

E derdhur në bronz në Serbi, statuja është dy metra e lartë – portalet serbe flasin për një monument të lartë tre metra – dhe është vepër e skulptorit nga Beogradi, Dragan Radenoviç, kurse iniciatori i krejt kësaj është Aleksandër Zaldostanov, drejtuesi i klubit të motoçikletave “Ujqërit e Natës”.

Statuja e ilustron Millosheviç-in duke mbajtur një maskë e cila, nga njëra anë, i ngjan personazhit nga piktura e famshme “The Scream/Klithma” të piktorit norvegjez, Edvard Munch (1893), por në realitet është më shumë si maska e filmave horror “Scream” (1996).

Marat Bashirov, profesor në Universitetin e Moskës, në një intervistë për “Moskovskiy Komsomolets”, theksoi se arsyeja e ngritjes së monumentit në Moskë është se “Milosheviç është viktima e parë e NATO-s kriminale”, duke iu referuar ndërhyrjes humanitare në Kosovë në vitin 1999 për të ndaluar fushatën gjenocidiale të Serbisë.

Millosheviçi, sipas profesorit rus, ishte ekstraduar në Hagë nga “tradhtarët serbë” dhe ai “pagoi me jetën e tij për të mbrojtur atdheun e tij” – “ai u tradhtua nga shumë njerëz në atë kohë dhe u rrëmbye nga qeveria e Zoran Gjinxhiç-it dhe u dërgua në Hagë”.

“Ata nuk mund ta thyenin atë dhe ai heroikisht qëndroi në pozicionin e tij, duke akuzuar NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit. Rusët bënë një gabim të madh në atë kohë që nuk e mbrojtën fuqishëm Serbinë”, tha Bashirov.

Ndërkaq, kreu i “Ujqërve të Natës”, ndryshe i njohur si “Kirurgu”, pohoi se përgatitjet dhe puna për ngritjen e monumentit janë në fazën e fundit dhe se ai po ngrihet në shenjë mirënjohjeje për Millosheviç-in, “i cili në mënyrë profetike parashikoi se çfarë do të ndodhte me ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore