Lajme

Stano konfirmon: Lajçak të enjten dhe të premten në Kosovë, më pas në Beograd


Zëdhënës i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për medie këtë të martë, ka njoftuar se Përfaqësuesi i posaçëm Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vizitoj Kosovën më 9 dhe 10 mars.

“Në Kosovë të enjten dhe të premten, më 9 dhe 10 mars, dhe pastaj do të vazhdojë në Serbi të hënën dhe të martën, më 13 dhe 14 mars. Ai do të vazhdojë diskutimet për të ndjekur rezultatin nga takimi i nivelit të lartë në Bruksel”, ka thënë Stano.

Qëllimi i këtyre udhëtimeve, tregon Stano “është të vazhdojë diskutimet për të ndjekur rezultatin nga takimi i nivelit të lartë të fundit”, i cili u mbajt më 27 shkurt të këtij viti.

Më tej Stano ka treguar se takimet me liderët në Kosovë dhe Serbi, Lajçak do ti realizoj ndaras.

“Ai do të takohet ndarazi me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç dhe ekipet e tyre. Për të siguruar, ndjekur dhe diskutuar modalitetet e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sigurisht, kjo do të kontribuojë në përgatitjet për takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në fund të këtij muaji”, ka shtuar më tej Stano.

Në pyetjen e gazetarëve se a është nënshkrimi i marrëveshjes qëllim i takimit, pasi që të dyja palët kanë deklaruar më herët se nuk ka nevojë të diskutohet më tej për këtë marrëveshje, Stano është përgjigjur se “qëllimi dhe objektivi i dialogut të lehtësuar nga BE është të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Dhe në fund të çojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje të përmbushur dhe të bindshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo është në fund të procesit dhe tani jemi në mes të procesit”, ka shtuar më tej ai.

Stano ka ritheksuar se takimi i 27 shkurtit të hënën, nuk kishte për qëllim nënshkrimin e asnjë marrëveshjeje, por për të diskutuar propozimin e BE-së i cili “u miratua nga të dy palët dhe u rënë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme rreth përmbajtjes së këtij propozimi, i cili u bë një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Stano ka treguar se pas takimit të fundit është rënë dakord që ky proces të vazhdohet edhe me një takim tjetër.

“Ky takim do të vijojë procesin duke angazhuar diskutime për zbatimin e rrugës së hartuar, sepse propozimi i BE-së është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Në fazën tjetër të takimit do të diskutohen modalitetet e zbatimit”, ka përfunduar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore