Kosova

Spasiç: UDB-ja i ka vrarë vëllezërit Jusuf e Bardhosh e Gërvalla e Kadri Zekën


Bozha Spasiç, ish-pjesëtari i UDB-së serbe

Bozha Spasiç, ish-pjesëtari i UDB-së serbe dhe njeriu i afërt me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë në një emision televiziv në Tv Pink në Serbi se UDB-ja i ka vrarë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën.

Ai ka treguar edhe si ka rrjedhur operacioni për vrasjen e Gërvallës, babait të ministres aktuale të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz.

Sipas Spasiç, Jusufi me shokët që ishin në ekzil – pra të përndjekur nga sistemi i atëhershëm, ishin kinse përgjegjës për shumë operacione brenda Kosovës.

Madje sipas tij, ata kishin shkuar në Evropë për t’iu shmangur drejtësisë, atëherë UDB-ja serbe kishte vendosur të reagojë duke i likuiduar.

Ndërsa më 17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kishte ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë, teksa nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

Konkretisht, atentati kishte ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMË 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave ka shtënë.

Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i kishin parë dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur, ndërsa vetura kishte mbetur e ndezur, pasi që Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit.

Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori.

Në vendin e ngjarjes policia kishte gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën të vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë me dy goditje me plumba.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore