Euro 2020

Spanja e Luis Enrique-s, tre muaj para Euro 2020


Tekniku i Kombëtares së Spanjës, Luis Enrique, pritet ta ketë shumë të vështirë për të përzgjedhur 23 lojtarët që do të jenë pjesë e listës finale për në Euro 2020. Zakonisht lista përbëhet nga tre portierë, tetë mbrojtës, gjashtë mesfushorë dhe gjashtë sulmues, por në rastin e Spanjës nuk është çudi që në listë të ketë më shumë mesfushorë.

Sigurisht që spanjollët e kanë listën shumë herë më të gjatë se ajo me 23 lojtarë. Por, cilët janë lojtarët më në zë për të qenë pjesë e Spanjës në Euro 2020?

Portierët

Në portë, duket se dy lojtarë e kanë të sigurt vendin, David de Gea i Manchester United-it dhe Kepa Arrizabalaga i Chelsea-s.

Vendi i tretë do të jetë një “luftë” dhe emrat nuk mungojnë. Më i favorizuar mbetet Unai Simon, talenti 23-vjeçar i Athletic Bilbao-s. Emra të tjerë dhe me peshë në futbollin europian janë Pepe Reina i Lazio-s dhe Pau Lopez i Roma-s.

Mbrojtësit

Kapiteni i Kombëtares dhe i Real Madrid-it, Sergio Ramos, e ka vendin e sigurt, së bashku me Jordi Alba-n e Barcelona-s dhe Dani Caravjal-in, po të Real-it.

Të tjerë emra të rëndësishëm që kanë mundësi më të mëdha për të kompletuar tetëshen e mbrojtjes janë, për në qendër, Inigo Martinez-i i Bilbao-s dhe Pau Torres-i i Villrreal-it.

Në krahët e mbrojtjes pritet të jenë: Hector Bellerin-i i Arsenal-it, Sergio Reguilon-i i Tottenham-it dhe Cesar Azpilicueta i Chelsea-s, që ka rilindur nën drejtimin e Thomas Tuchel-it dhe mbi të gjitha mund të jetë një xhol në mbrojtje.

Nuk mbeten pas as alternativat e tjera, si: Eric Garcia i Manchester City-t, Sergi Roberto i Barcelona-s, Jose Gaya i Valencia-s, Raul Albiol i Villarreal-it dhe Marc Bartra i Real Betis-it.

Mesfushorët

Mesfusha është një nga repartet që dallon spanjollët. Dhe këtu do të jetë me të vërtetë dhimbje koke për trajnerin Enrique.

Shumë emra të mëdhenj për pak vende. Sergio Busquets-i i Barcelona-s, Rodri i Manchester City-t, Fabian Ruiz-i i Napoli-t, Koke dhe Saul Niguez-i i Atletico Madrid-it, Dani Olmo i Leipzig-ut, Thiago Alcantara i Liverpool-it dhe Luis Alberto i Lazio-s. Këta janë emrat më të favorizuar për të qenë në listën përfundimtare.

Por, pas nuk mbeten as Mikel Merino i Real Sociedad-it, Oscar Rodriguez-i i Sevilla-s, Jose Campana i Levante-s, Daniel Ceballos-i i Arsenal-it, Juan Jesus-i i Sevilla-s, Pedri i Barcelona-s dhe Sergio Canales-i i Real Betis-it.

Sulmuesit

Sulmuesit, të cilët janë më të avantazhuar për të qenë pjesë e listës së 23-es, janë Alvaro Morata i Juventus-it dhe Mikel Oyarzabal-i i Real Sociedad-it.

Gjithashtu nuk mbeten pas edhe emra, si: Rodrigo Moreno i Villarreal-it, Marco Llorente i Atletico Madrid-it, Ferran Torres-i i City-t, Adama Traore i Wolverhampton-it, Marco Asensio i Real-it, Rodrigo i Leeds-it dhe Paco Alcacer-i i Villarreal-it.

Këta janë kandidatët e mundshëm për të qenë pjesë e listës përfundimtare, ndërsa duket se të tjerë emra të mëdhenj kanë shanse më të pakta, për shkak të dëmtimeve, formës jo të mirë apo arsyeve të tjera.

Kështu Diego Costa, Iago Aspas-i, Ansu Fati, Isco, Iker Muniain-i, Dani Parejo, Lucas Vazquez-i, Pablo Sarabia, Alvaro Odriozola, Juan Bernat-i, Marco Alonso dhe Marc Cucurella, janë më pak të avantazhuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore