Shqipëria

SPAK ka dorëzuar katër kërkesa ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe


Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “TV Klan”, duke cituar intervistën me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.

Sipas tij, ekstradimi nga Emiratet e  Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

“Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim”, ishte mesazhi i kryeprokurorit Dumani.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme , Arben Kraja, deklaroi në maj të vitit të kaluar se në Dubai gjenden katër të arratisur nga drejtësia shqiptare.

“Kemi katër të arratisur atje, por nuk mund t’i ekstradojmë sepse ato ligje nuk ekzistojnë dhe nuk u përgjigjen kërkesave tona”.

Dubai, për Krajën, është kthyer në një parajsë kriminale të të arratisurve, por jo një parajsë fiskale.

“Ka shumë që ikin në vende të ndryshme, por askush nuk përgjigjet kur ne kërkojmë ekstradimin e tyre”, tha më tej shefi i SPAK-ut.

Refuzimin e parë SPAK e mori për ekstradimin e Plaurent Dervishajt në vitin 2020, i cili ka në Gjykatën e Posaçme të hapur dy procese si pjesëmarrës dhe organizator në atentate të ndryshme.

Një vit më vonë, të njëjtin fat pati edhe kërkesa për Florenc Çapjen, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërtimi i situatës

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi më 31 tetor të vitit 2022 se një grup në nivel ekspertësh pritej të mbërrinte në Shqipëri.

Kjo, lidhur me një marrëveshje të mundshme ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Burgjet popullohen nga hallexhinjtë, krerët e krimit janë në Dubai”, theksonte deputeti demokrat Ervin Salianji.

Për zyrtarin shqiptar, marrëveshja ishte edhe çështje e vullnetit të përbashkët.

“Mund të kërkosh ti por varet sa është vullneti i palës tjetër”, shtonte Manja.

Sipas tij, autoritetet shqiptare mbeten të hapura me çdo shtet për marrëveshje ekstradimi.

Ministria e Drejtësisë në Emiratet e Bashkuara asokohe nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Albanian Post.

Kujtojmë që lidhja e marrëveshjes së ekstradimit mes dy vendeve është kërkuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Debati

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u kërkoi më 15 shtator autoriteteve shqiptare që të lidhin marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje, sipas tij, nëse do të nënshkruhet do të ketë miratimin me votë edhe nga ana e demokratëve.

“Nëse do sillni një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e keni votën tonë. Ndaj kësaj marrëveshjeje fshihen kaq probleme të mëdha dhe demaskim i qeverisë. Kjo është ajo që duhet të diskutojmë të gjithë, duhet parë me seriozitet, impuls politik, për të hequr çdo ide keqkuptimi që pengimi i marrëveshjes së ekstradimit me Emiratet të jetë e kapur nga krimi”, do të shprehej fillimisht Alibeaj.

Për deputetin demokrat, të gjitha bandat në Shqipëri “kanë gjetur parajsën e tyre në Dubai”.

Sakaq, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi me asnjë vend.

“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje me asnjë shtet. Po ashtu dua t’iu them se marrëdhëniet e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe janë në nivelin më të mirë historik”, theksoi Balla.

Në fakt, Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan shtatë marrëveshje ekstradimi me vende anembanë botës gjatë vitit që lamë pas, duke nënvizuar një shtytje të zyrtarëve për të pastruar imazhin e vendit.

Gjithsej, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë 37 marrëveshje të ndërsjella të ndihmës juridike dhe ekstradimit, duke përfshirë pakte me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Indinë dhe Kinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore